Anija e Marinës italiane “Libra”, e cila u nis nga porti i Brindisit me 40 emigrantë në bord, ka mbërritur sot në portin e Shëngjinit. Emigrantët do të transferohen në qendrën e pritjes dhe riatdhesimit të Gjadrit, një strukturë e ngritur në Shqipëri në kuadër të marrëveshjes mes qeverisë shqiptare dhe asaj italiane për menaxhimin e emigracionit të parregullt.
Autoritetet shqiptare kanë bërë me dije se anija “Libra”, me të cilën u realizua ky transferim, do t’i dhurohet Forcave të Armatosura të Shqipërisë nga pala italiane, si pjesë e bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve.
Bëhet fjalë për emigrantë nga shtete të ndryshme, të cilët kanë mbërritur kohët e fundit në Qendrën për Refugjatët (CPR) në Brindisi. Sipas dekretit të miratuar nga qeveria italiane më 28 mars, lejohet jo vetëm transferimi i azilkërkuesve të kapur në det, por edhe i emigrantëve të parregullt, për të cilët është lëshuar dekret dëbimi nga autoritetet italiane dhe vendim i gjykatës për qëndrimin e tyre në qendrat e pritjes.