Zbulohen arsyet e dështimit të liberalizimit të vizave për Kosovën – kjo ka qenë prapavija e Samitit të BE-së!

Bashkimi Evropian po vazhdon t’ua shuaj shpresat shqiptarëve të Kosovës për liberalizim të vizave.

Tash kur po bëhen më shumë se një dekadë që kur ka nisur ky proces, dhe më shumë se pesë vite, me deklarime të zyrtarëve të BE-së se janë përmbushur kushtet për liberalizim, Këshilli Europian, po refuzon heqjen e vizave.

Në fakt, në rastet e tilla hapat bëhen me konsensus apo kur është e qartë për mbështetësit e një hapi për heqjen e vizave, binden shtetet që e përbëjnë 65% të numrit të përgjithshëm të popullsisë së Bashkimit Europian, gati 2/3 e saj.

Procesi për liberalizimin e vizave ka nisur në vitin 2012. Në korrik të vitit 2018, Komisioni konfirmoi se Kosova ka përmbushur të gjitha kriteret drejt rrugës për liberalizimin e vizave dhe i rekomandoi Këshillit dhe Parlamentit Evropian të ecë përpara me propozimin për liberalizimin e vizave.

Më vonë edhe Parlamenti Europian, përfshirë edhe konfirmimin e fundit se Kosovës kërkoi heqjen e vizave, edhe Komisioni Europian e konfirmoi këtë.

Në fakt, vazhdon të përmendet rasti i vitit 2016, kur Kosova ndoshta së bashku me Ukrainën dhe Moldavinë mund të futej në një paku dhe t’i hiqeshin vizat. Por, kjo më shumë është hipotezë, edhe për faktin se vetë asokohe Ministri i Jashtëm Hashim Thaçi kërkoi nga Mogherini si ndërmjetësuese ndërkombëtare, që demarkacioni të futej si kusht për liberalizim të vizave, në mënyrë që këtë ta përdornin si presion ndaj opozitës, për ta miratuar marrëveshjen me Malin e Zi. Por, demarkacioni nuk kaloi dhe ra qeveria Mustafa.

Së fundmi është mbajtur Samiti i BE-së në Bruksel, ku për shkak të premtimit të madh gjerman se vizat duhej t’i hiqeshin Kosovës, shpresat ishin më të mëdha. Por, disa shtete kyçe si Franca e Holanda, nuk e mbështetën, kështu dukej që ishte larg shifra prej 2/3.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e cila ishte pjesë e Samitit, gjatë fjalimit në samit, kërkoi që procesit të liberalizimit të vizave t’i jepet fund, duke theksuar se kjo çështje “ka shkuar shumë larg”.

“Qytetarët e mi ndihen të diskriminuar, pavarësisht se janë populli më pro-evropian dhe i plotësojnë të gjitha kriteret prej katër vjetësh. Ata mbeten të izoluar në zemër të kontinentit ku jetojnë”, tha ajo, duke shtuar se është e vetmja lidere në këtë samit që është dashur të pajiset me vizë për të marrë pjesë në të.

Mirëpo përveç Kosovës të zhgënjyer mbetën edhe Shqipëria me Maqedoninë e Veriut pasi të njëjtat nuk arritën që ta marrin statusin e vendit kandidat, por atyre iu hap rruga, pasi Bullgaria vendosi të heq veton ndaj Shkupit, dhe me këtë iu hap rruga edhe Tiranës, pasi të dyja vendet janë në një pako.

Por, pse ky dështim për viza?

Kuçi: BE po kërkon përfitim të kohës

Në lidhje me këtë temë në një prononcim për “Bota sot”, ka folur njohësi i çështjeve ndërkombëtare, Gurakuq Kuçi.

Image

Gurakuq Kuçi

Ai radhiti katër arsye pse nuk ndodhi liberalizimi i vizave për Kosovën. E filloi duke theksuar që nëse Këshilli Europian jep dritën jeshile, atëherë Kosova do të zbrazet, e pastaj edhe përballe me mosseriozitetin e Kosovës dhe të Ballkanit Perëndimor.

Dështimi për liberalizimin e vizave nuk është te përmbushja e çështjeve teknike apo luftimi i korrupsionit, sa herë janë shtuar kriteret ato kanë qenë vetëm përfitim në kohë. Problemi qëndron në disa arsye tjera:

Arsyeja e parë, është se BE-ja me mos-liberalizimin e vizave dëshiron të mbajë një masë të popullsisë në Kosovë, sepse përndryshe do të zbrazet Kosova dhe kështu projekti që bota perëndimore ka investuar më së shumti do të dështonte.

Arsyeja e dytë, është se as Kosova dhe asnjë nga vendet e Ballkanit Perëndimor më nuk merren seriozisht nga BE-ja pasi si vende të gjitha kanë dështuar në këtë rrugë dhe ky dështim e jo-seriozitet i Ballkanit Perëndimor ndaj BE-së po kthehet me të njëjtën monedhë nga BE-ja”, thotë ai.

Më tej, arsyeja e tretë është mbajtja e Ballkanit Perëndimor jashtë BE-së por brenda kuadrit pro-perëndimor dhe arsyeja e fundit sipas Kuçit është se pas përfundimit të luftës në Ukrainë, Ballkani Perëndimor mund të shërbejë më lehtë si një zonë e lëvizjeve strategjike territoriale.

Arsyeja e tretë, që është mundësuar nga dy të parat, është mbajtja e Ballkanit Perëndimor jashtë BE-së, por brenda kuadrit pro-perëndimor, si një zonë e sigurisë gjeopolitike dhe potencialisht laborator politik.

Arsyeja e katërt, është se një ditë në të ardhmen e afërt pas përfundimit të luftës në Ukrainë ku lind nevoja për ndarjet e reja të sferave gjeopolitike, Ballkani Perëndimor mund të shërbejë më lehtë si një zonë e lëvizjeve strategjike territoriale”, shpjegon njohësi i çështjeve ndërkombëtare.

Ndër të tjera, ai nënvizon që Kosova u ngut ta nënshkruaj udhëzuesin për zbatimin e marrëveshjes për energjinë elektrike.

Pra, është vetë Kosova dhe gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor që e kanë hapur derën për mos-seriozitet nga BE-ja duke qenë vetë së pari jo-serioze dhe që fatkeqësisht si në Kosovë ashtu edhe në vendet tjera po vazhdon avazi i njëjtë.

Madje Kosova u ngut ta nënshkruaj udhëzuesin për zbatimin e marrëveshjes për energjinë elektrike për katër komunat veriore me premtimin e liberalizimit të vizave”, foli Kuçi për “Bota sot”.

Duhanaj: Ne si shqiptarë, nuk e kemi edhe qasjen e duhur e aq me pak jemi duke e kuptuar Unionin Europian si organizimin politik e ideologjik

Ndërsa, analisti politik, Leon Duhanaj, në një bashkëbisedim me “Bota sot”, u shpreh se BE-ja po na krahason me vendet e zhvilluara e që në fakt nuk duhet të bëhet ky krahasim, por duhet të bëhet krahasimi me vendet që jemi për rreth.

Image

Leon Duhanaj

Nëse në aspektin e sundimit të ligjit dhe demokracisë në përgjithësi, do të krahasoheshim me Zvicrën apo ndonjë shtet të avancuar perëndimorë, jo vetëm që nuk do shkonte, por kishte me qenë i pamundur. Megjithatë ne jetojmë në Ballkan dhe si të tillë, bota duhet të na krahasoj me shoqëritë të cilat i kemi rreth e përqark, e që një krahasim i tillë nuk është që ne vërtetë jemi më keq se të tjerët. Megjithatë, kur flasim për temën e integrimit europian, përkatësisht liberalizimit të vizave, sipas mendimin tim, ne si shqiptarë, nuk kemi edhe qasjen e duhur e aq më pak jemi duke e kuptuar Unionin Europian si organizimin politik e ideologjik”, thotë ai.

Më tej, analisti thekson se në vitet e ‘90-ta, kishim një shumicë të komunitetit mysliman.

Megjithatë nuk mendoj që këtu qëndron problemi për shqiptarët. Për mendimin tim, problemi nuk është përkatësia fetare, por mënyra e manifestimit të kësaj përkatësie, përkatësisht mënyra se si shqiptarët viteve të fundit e praktikojnë fenë apo islamin. Mos të harrojmë se edhe në vitet e ‘90-ta, kishim një shumicë të komunitetit mysliman, por nuk u bë shkak as problem për perëndimorët që të mos na ndihmojnë për lirinë, e me vonë edhe pavarësinë tonë. Kjo çështje, është bërë pengesë, atëherë kur shqiptarët ja filluan ta shpallim islamin më ndryshe”, potencon analisti.

Gjithashtu, ai thotë që problemi po ashtu kyç, pse Kosova nuk avancon përpara është edhe narracioni i krijuar kundër Kosovës.

Mënyra se si shqiptarët janë duke u prezantuar, nuk i përshtatet as trungut shqiptarë, e aq më pak perëndimit. Në qarqet interne perëndimore Kosova shihet si arenë, poligon i trajnimin të ekstremizmit si pasojë e investimeve turke e arabe, e që të gjitha koordinohen me Serbinë nën patronatin e Rusisë me qëllim tjetërsimin e shqiptarëve dhe përmes tyre, krijimin e një zone destabilizuese në zemër të Europës. Problemi po ashtu kyç, pse Kosova nuk avancon përpara është edhe narracioni i krijuar kundër Kosovës, i cili po ashtu ka mbështetjen e vendeve të apostrofuara më lart”, përfundoi Duhanaj për “Bota sot”.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme