Presidenti i SHBA-së Donald Trump dhe ai i Koresë së Veriut Kim Jong Un kanë nënshkruar mëngjesin e kësaj të marte një marrëveshje të përbashkët, ndonëse detajet e saj janë ende të panjohura.
“Ne jemi duke nënshkruar një dokument shumë të rëndësishëm, një dokument mjaft të plotë,” u tha Trump gazetarëve.
Ai tha se do ta diskutonte atë “gjerësisht” në një konferencë shtypi të ardhshme dhe tregoi se do të vihej në dispozicion publikisht.
Kim tha se donte të shprehë mirënjohjen e tij për Presidentin Trump lidhur me takimin.
“Kemi pasur një takim historik dhe kemi vendosur të lëmë pas të kaluarën dhe ne jemi gati ta nënshkruajmë dokumentin historik”, tha Kim përmes një përkthyesi.
Presidenti Trump tha se procesi i denuklarizimit për Korenë e Veriut do të fillojë “shumë, shumë shpejt”.
I pyetur nëse udhëheqësi i Koresë së Veriut Kim Jong Un ra dakord për denuklarizimin, Trump tha, “Ne do ta fillojmë këtë proces shumë, shumë shpejt”.
“Bota do të shohë një ndryshim të madh”, vazhdoi ai përmes një përkthyesi.
Një zyrtar amerikan i tha CNN më herët se dokumenti do të kishte në përmbajtjen e tij përparimin e bisedimeve dhe premtimin për të mbajtur vrullin.
Trump dhe Kim: Shtrëngim duarsh historik
Nënshkrimi i marrëveshjes mes palëve erdhi pas takimit historik mes dy Presidentëve, të cilët shtrënguan duart të martën në mëngjes në një hotel të Singaporit, para se të fillonin bisedimet rreth denuklearizimit të mundshëm të gadishullit Korean.
Nën shkrepjet e dhjetëra kamerave, dy udhëheqësit u takuan përpara një sfondi me flamuj amerikanë dhe koreanoveriorë në një ngjarje të pashembullt – takimi i parë i një presidenti aktual amerikan dhe një udhëheqësi të Koresë së Veriut.
Ndërsa fillonte takimi i nivelit të lartë, Presidenti Trump parashikoi se ai do të kishte një “marrëdhënie të shkëlqyer” me udhëheqësin Kim Jong Un, i cili tha nga ana e tij se ai dhe zoti Trump “kishin ardhur aty pas tejkalimit të të gjitha pengesave”.
Autokolona e zotit Trump arriti e para në Hotel Capella në ishullin turistik Sentosa të Singaporit. Autokolona e Kim Jong Unit arriti disa minuta më vonë.
Fillimisht, bisedimet u zhvilluan kokë më kokë me praninë vetëm të përkthyesve.
Zyrtarët amerikanë kanë thënë se çdo marrëveshje që mund të arrihet duhet të ketë si rezultat dhënien fund të kërcënimit që përbëjnë armët bërthamore dhe raketat balistike të Koresë së Veriut.
Për të ndjekur takimin historik, në Singapor ndodhen rreth 5,000 gazetarë, por vetëm një grup i vogël reporterësh amerikanë dhe koreanoveriorë u lejuan të ndjekin momentin kur të dy udhëheqësit përshëndetën njëri-tjetrin.
Presidentit Trump largohet nga Singapori mbrëmjen e së martës me orën lokale, njoftoi Shtëpia e Bardhë.