Policia e Shkodrës ka zbuluar dhe asgjësuar 1233 bimë të dyshuara narkotike të llojit kanabis, të ndara në 777 fidanë dhe 456 bimë në rritje. Operacioni është zhvilluar në kuadër të kontrolleve për parandalimin e kultivimit të lëndëve narkotike në zonat pyjore dhe të thella të qarkut.
Ndërkohë, vijon puna për identifikimin dhe arrestimin e autorëve që kanë kultivuar bimët narkotike.
Në lidhje me këtë rast, janë proceduar penalisht një Specialist Pyjesh dhe një Roje Mjedisore, të cilët dyshohen për moskallëzim krimi dhe shpërdorim detyre, pasi nuk kanë raportuar mbi aktivitetin e paligjshëm që zhvillohej në territorin për të cilin ishin përgjegjës.
Policia ka theksuar se kontrollet në terren do të vijojnë pa ndërprerje, ndërsa apelon për bashkëpunim nga qytetarët për të denoncuar çdo rast të mundshëm të kultivimit apo trafikimit të drogës.
Njoftimi i policisë:
Qarku Shkodër/ Vijon operacioni policor i koduar “Koordinata”, për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e tentativave për kultivim të bimëve narkotike.
Si rezultat i kontrolleve intensive në të gjithë territorin e qarkut Shkodër, nga shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër dhe të komisariateve në varësi të saj, kanë gjetur të kultivuara dhe kanë asgjësuar gjithsej 1233 fidanë e bimë të dyshuara kanabis ( 777 fidanë dhe 456 bimë të dyshuara narkotike kanabis)
Procedohen penalisht për moskallëzim krimi dhe shpërdorim të detyrave, 1 Specialist Pyjesh dhe 1 Roje Mjedisore.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Shkodër në vijim të operacionit policor të koduar “Koordinata”, gjatë kontrolleve të territorit, bazuar dhe në inteligjencën policore, gjetën dhe asgjësuan në territorin e njësive administrative Shalë, Pult dhe Postribë 777 fidanë dhe 382 bimë narkotike kanabis.
Në vijim të veprimeve për këto dy raste nisi procedimi në gjendje të lirë, për shpërdorim të detyrës dhe moskallëzim krimi, për Inspektorin e Pyjeve, shtetasin A. M dhe Rojen Mjedisore shtetasin L. A.
Ndërkohë shërbimet e Komisariatit të Policisë Malësi e Madhe gjatë kontrolleve gjetën dhe asgjësuan në territorin e njësisë administrative Shkrel, 74 bimë kanabis;
Vijon puna për identifikimin, kapjen dhe nxjerrjen përpara përgjegjësisë penale të autorëve të kultivimit të këtyre bimëve narkotike.
Operacioni antikanabis i koduar “Koordinata”, vijon.