Policia e Vjenës, pas një pune që ka marrë shumë kohë, ka zbuluar me mijëra certifikata të falsifikuara ose të rreme që “dëshmojnë” njohjen e gjermanishtes. Këto dokumente u kanë shërbyer të huajve, kryesisht nga Shqipëria, Koracia dhe Serbia, për të siguruar qëndrimin në Austri. Bëhet fjalë për rreth 8000 kallëzime penale që janë bërë ndaj personave nga vendet e përmendura, njoftojnë sot të gjitha mediet austriake.
Hetuesit e Policisë për të Huajt kanë identifikuar rreth 3000 persona që kanë marrë certifikata të tilla. Ndërkaq janë zbuluar 10 grupe, të cilat kanë vepruar kryesisht në Austri por edhe në Bosnjë dhe në Gjermani, transmeton albinfo.ch. Janë kapur 25 krerët e këtij rrjeti të madh të falsifikimit, kanë bërë të ditur sot hetuesit në konferencën për medie të mbajtur në Vjenë.
Në mesin e autorëve të këtyre delikteve bëjnë pjesë edhe institute gjuhësore të palicencuara, operatorë dhe ekzaminues, të cilët kundrejt një pagese “kanë mbyllur sytë”, pastaj një avokat si dhe falsifikues certifikatash dhe ndërmjetësues të shërbimeve të tilla ilegale.
Njerëzit me njohje të vogël të gjemranishtes ose pa njohje fare kanë paguar në mes 100 dhe 2700 eurosh për një certifikatë të falsifikuar ose të rreme.
Janë konfiskuar më shumë se 500 falsifikime totale.
Gjithsej të arrestuar dhe disa prej tyre tashmë edhe të dënuar, janë 33 veta, transmeton albinfo.ch. Arrestimet e deritashme janë bërë në Qarkun Vjenë-rrethinë, ku një grua austriake udhëhiqte një shkollë gjuhësh dhe sipas njohurive të deritashme ajo brenda pesë viteve ka fituar 300 mijë euro. Kjo grua ndodhet në paraburgim në Vjenë.
“Viktimat” gjegjësisht ata që kanë paguar për certifikatat, janë në pjesën më të madhe nga “regjioni gjuhësor serbokroat” si dhe nga Shqipëria.
Përmes këtyre dokumenteve ata kanë siguruar qëndrim në Austri. Ndërsa pasi që me qëndrim lidhet edhe përfitimi nga shërbimet sociale, ndaj tyre do të zhvillohen hetime për mashtrim të këtyre shërbimeve. Pra ata mbi këtë bazë kanë shfrytëzuar ndihma familjare dhe shërbimin shëndetësor në Austri, shkruajnë mediet austrtiake.