Ish-kryeministrit Sali Berisha i ka mbërritur një denoncim në Facebook, nga një person që i prezantohet si zyrtar i lartë i shtetit.
Përmes një mesazhi privat dërguar berishës, dhe në ruajtje të plotë të anonimatit, zyrtari thotë se Olsi Rama, vëllai i kryeministrit të Shqipërisë, jo vetëm që është garant, por është edhe ndërmjetësi për çmimin e kokainës, për të cilën sipas denoncimit, u paguan kapar 4.2 milionë euro. Bëhet fjalë për sasinë rekord të kokainës, prej 613 kilogramë, që u kap nga policia në portin e Durrësit, në një kontenier me banane, që vinte nga Kolumbia.
“Olsi dhe vëllai i tij Edi janë të skeduar për lidhje të vjetra bogotiane”, shkruan Berisha, teksa poston mesazhin e plotë të zyrtarit.
Denoncuesi thotë se nëse do të kërkohej informacion tek autoritetet kokumbiane, do të rezultonte që kryeministri dhe Olsi Rama, kanë kryer vizita të shumta në Bogota, si shenjë sipas tij, se lidhjet e tyre me grupet e drogës në këtë shtet, janë të hershme. Zyrtari përfshin në këtë skemë, edhe drejtorin e Përgjithshëm të Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike, Ardian Çelën. Por gjithashtu, denoncuesi përmend edhe një ministër të qeverisë Rama dhe zyrtarë të lartë socialistë, emrat e të cilëve nuk i ka të sigurtë dhe nuk i përmend në mesazhin dërguar Berishës.
Denoncimi
“Pershendetje Dr po ju shkruaj lidhur ngarkesën prej 614 kg kokainë të pastër nisur me konteiner me banane ne adrese te Arbi Garden me pronar Arber Cekaj. Jeni shume i sakte ne deklaratat tuaja se Garantorë për gjithçka ka qenë z. “Olsi Rama” faktikisht i vellai i tije kryeminister Edi Rama. Qe te dy Edi dhe Olsi kane lidhje te forta dhe te hershme Kolumbi me grupet e droges ne kete vend dhe po te pyeten autoritetet do te dalin vizitat e tyre nder vite ne Bogota. Por esht Olsi Rama ai i cili perveç garancise, ne kete raste ka afruar vet dhe kontaktet ne Kolumbi si dhe çmimin dhe ofertën.
Çmimi fillestar i blerjes si kapar te themi ka qenë më 7000 € kg x 600 kg = 4 milion euro. Për këtë ngarkesë janë paguar 4.2 milion euro për ta nga dy njerez shume afer me Ramen njeri prej tyre thuhet se eshte drejtori i fuqishem i OSHEE Çela . Kurse per personin tjeter qarkullojne emrat e zyrtarve te larte socialiste, njeri minister tjetri kryetar bashkie por ende nuk dihet eshte e sigurte.Te dhena te plota si per rolin e Olsit ashtu dhe per paguesit e ngarkeses ka policia federale e Kolumbise por duhet te kete edhe DEA qe bashkepunon shume ngushte me kete Agjensi! Ne ministrine e Brendeshme dhe kryeministri ka rene damllaja, Rama i dine keto ndaj dhe deklaroi per te mbrojtur veten dhe vlla Olsin, qe ne fillim se operacioni ishte pune vetem e policise dhe doganes shqiptare, pra deshi te thote se droga u zbulua aksidentalisht, te kunderten e asaj qe deklaroje ne mengjesin e dt 27 shkurt Fatmir Xhafa i cili i dispononte te dhenat e derguara nga policia federale kolumbiane”
Në lidhje me akuzat e ngritura ndaj tij, vëllai i kryeministrit, Olsi Rama, tha mbrëmë në RTSH se janë të gjitha sajesa.
“Për sa i përket akuzave të fundit, që më lidhin mua me kokainën, janë sajesa, unë nuk kam lidhje. Të gjithë ata që më njohin mua, e dinë që unë nuk kam lidhje me këto çështje. As me punë tenderësh, asnjë lloj gjëje të ngjashme. Po këto janë gjëra që sajohen në këtë fshatin tonë”, u shpreh Olsi Rama.