Një ekip i kontraktorëve izraelitë, të cilët pretendojnë se kanë manipuluar më shumë se 30 raste të zgjedhjeve në pjesë të ndryshme të botës duke i përdorur hakimin, sabotimin dhe dezinformatat e automatizuara në rrjete sociale, është ekspozuar në një hulumtim të ri.
Ky njësit udhëhiqet nga Tal Hanan-i, ish-operativ i forcave speciale izraelite, i cili tash punon privatisht duke e përdorur pseudonimin “Jorge” dhe duket se ka qenë duke punuar nën radar në zgjedhje të shteteve të ndryshme për më shumë se dy dekada.
Atij po i hiqet maska nga një grup ndërkombëtar i gazetarëve. Hanan-i dhe njësiti i tij, që e përdor emrin e koduar, “Team Jorge”, janë shpërfaqur nga pamje dhe dokumente të fshehta, që kanë arritur deri te gazeta“The Guardian”.
Hanan-i nuk iu përgjigj pyetjeve të hollësishme të kësaj gazete për aktivitetet dhe metodat e Ekipit “Jorge”, por tha: “Unë mohoj çfarëdo shkeljeje.”
Hulumtimi zbulon hollësi të jashtëzakonshme për përdorimin e dezinformatave si armë nga Eiki “Jorge”, i cili ofron shërbime private për ndërhyrje të fshehtë në zgjedhje pa lënë gjurmë. Ky grup punon edhe për klientet korporata.
Hanan-i u ka thënë reporterëve të fshehur se shërbimet e tij, që i përshkroi si “operacione të zeza”, ishin të qasshme për agjencitë e inteligjencës, për fushata politike e kompani private që donin ta manipulonin në mënyrë sekrete opinionin publik. Ai tha se këto shërbime janë përdorur në Afrikë, Amerikë Qendrore e Jugore, ShBA e Evropë.
Njëra ndër shërbimet kyçe të Ekipit “Jorge” është një pako e sofistikuar softuerike, e quajtur “Zgjidhje të Avancuara për Ndikim në Medie” ose AIMS. Me këtë pako kontrollohen një grumbull i madh i profileve të rreme në “Twitter”, “LinkedIn”, “Facebook”, “Telegram”, “Gmail”, Instagram” dhe “YouTube”. Disa përdorues fiktivë madje kanë edhe llogari në “Amazon” me kartela bankare, portofola të kriptovalutave dhe llogari në “Airbnb”.
Në grupin e gazetarëve që e kanë hulumtuar Ekipin “Jorge”, përfshihen gazetarë nga 30 medie, përfshirë gazetat e revistat e mirënjohura, “Le Monde”, “Der Spiegel” dhe “El Pais”. Ky projekt është pjesë e një hulumtimi më te gjerë për industrinë e dezinformimit dhe është bashkërenduar me organizatën jofitimprurëse franceze, “Forbideen Stories”, misioni i së cilës është që ta vazhdojë punën e gazetarëve të vrarë, të kërcënuar ose të burgosur.
Pamjet e fshehta janë incizuar nga tre gazetarë, të cilët vendosën kontakte me Ekipin “Jorge” duke u paraqitur si klientë të mundshëm në të ardhmen.
Gjatë më shumë se gjashtë orëve të takimeve të incizuara fshehurazi, Hanan-i dhe ekipi i tij tregojnë se si ata do të mund të grumbullonin të dhëna të inteligjencës për rivalët, përfshirë përdorimin e teknikave të harkimit për të pasur qasje në llogari në “Gmail” dhe “Telegram”. Ata janë mburrur se mund të vendosin materiale në medie legjitime, të cilat më pas fuqizohen nga pakoja softuerike.
Zbulimi i këtyre të dhënave për Ekipin “Jorge” mund ta turpërojë Izraelin, shtet që është ballafaquar me presion diplomatik në rritje vjetëve të fundit për eksportimin e armatimit kibernetik që i minon demokracinë dhe të drejtat e njeriut.