Promovimi në poste të larta i zyrtarëve që kanë hesape të pambyllura me drejtësinë në vendet e BE-së, nuk është e vetmja “njollë e zezë” për drejtorin e përgjithshëm të Doganave, Genti Gazheli.
Prej ditësh News 24 dhe Balkanweb kanë publikuar dokumente se si katër zyrtarë të Doganave, teksa mbajnë poste të larta drejtuese në këtë institucion, janë ende nën akuzë nga drejtësia greke për kontrabandë dhe grup të strukturuar kriminal.
Së fundmi, “Balkanweb” ka siguruar fakte të tjera që vërtetojnë se Genti Gazheli i drejton Doganat në shkelje të ligjit.
Në bazë të ligjit 44, datë 27 janar 2006 ndalohet të ushtrojnë detyrën brenda të njëjtit institucion publik, punonjës të lidhur mes tyre me lidhje familjare, gjinie apo krushqie.
Por çfarë po ndodh në të vërtetë brenda Doganave?
“Balkanweb” po publikon sot vetëm tre raste, nga dhjetëra që disponon, kur persona të të njëjtës familje ndajnë postet në institucionin e drejtuar nga Genti Gazheli.
Alfreda Trajani është drejtoreshë e komanduar te Burimet njerëzore, ndërsa e bija, Gestina Bregu (Trajani) është specialiste te anti-korrupsioni i Doganave. Ky duket të jetë një rast i paprecedentë në të gjithë administratën shqiptare kur mamaja drejtoreshë promovon të bijën.
Eglantina Kaja është përgjegjëse te sektori i pagesave, ndërsa e bija Enxhi Kaja është doganiere te aposteriori 5 ditor.
Por nepotizmi nuk ka kursyer as paradhomën e Genti Gazhelit.
Ajla Petrela është sekretare e Gazhelit, ndërsa bashkëshorti Alban Fishka është doganier fizik në doganën e Tiranës.
E thënë më thjeshtë, Doganat duket se nuk janë një “çerdhe” ku punësohen dhe promovohen ata që kanë probleme me drejtësinë në vendet fqinje, por edhe nga dy persona nga e njëjta familje, duke shkelur kështu hapur ligjin e nepotizmit./BalkanWeb