Gazetar: Bashkim Sulejmani
“Edhe pse është një qytet i vogël, Gostivari, dikur kishte 25 marangoz që përpunonin drurin, ndërsa sot kanë mbetur vetëm dy. Pronari i këtij dyqani pas nesh, shpjegon se ulja e këtij numri të zdrukthtarëve ndodh shkaku i mos interesimit të të rinjve për të vazhduar zanatin por edhe mos pasjes së leverdisë”, raporton Bashkim Sulejmani, gazetar.
“Para njëzet vitesh kishte edhe fitim më shumë dhe një familje mundej të ekzistonte nga ky zanat. Ndërsa tani është problem. Materialet kanë çmim shumë të lartë. Mandej tek ne s’është si në perëndim. Në perëndim çmohet puna e dorës e tek ne aspak. Dikur ka pas shumë, mbi 25 zdrukthtarë ndërsa tani vetëm unë jam. Të rinjtë interesim nuk kanë aspak. Ka 20 vite që nxënësit dhe të rinjtë nuk kanë interesim aspak. S’kam as çirak, asnjë nuk vjen dhe më vjen keq sepse ky zanat është i vlefshëm, dhe i shëndetshëm por për fat të keq s’ka. Njëjtë problem kemi edhe për punëtor, andaj kanë ngrit edhe çmimin e mëditjes”, tha Lulzim Osmani, marangoz.
Osmani thotë se shteti nuk ndihmon aspak. Subvencionet për vetëpunësim që lëshohen nga Ministria e Ekonomisë, e që janë rreth 5 mijë euro, ai thotë se janë shumë pak për të nisur një biznes.
“Shteti ka filluar me subvencionet. Tash ka nisur para dy muajsh. Ministria e Ekonomisë ka dhënë për këta që hapin firma të reja u japin nga pesë mijë euro, por nuk është e kënaqshme aspak. Nuk mjaftojnë për zejtar këto mjete, por vetëm për berberin dhe për frizerin. Minimal 20.000 euro duhet të ndahen për zejtarët”, shtoi Lulzim Osmani, marangoz.
Ndryshe në rajonin e Pollogut janë të regjistruar rreth 700 zejtar, por vetëm 7 për qind e tyre aplikojnë për fondet që ndan Ministria e Ekonomisë për zhvillimin e zejtarisë. Shkaku për numrin e ulët, sipas Ministrit të Ekonomisë, është i panjohur.
“Nuk e dimë arsyen përse në rajonin e Pollogut ka kaq pak interesim për aplikime në këto fonde andaj do takojmë gjithë zejtarët dhe odat ekonomike të kësaj zone, për tu njohur nga afër me hallet e tyre dhe për të bashkëbiseduar se përse nuk aplikojnë për këto fonde”, deklaroi Besar Durmishi. Ministër i Ekonomisë.
Zejtarët po ashtu kërkojnë nga Ministria e Ekonomisë që fondi prej 5 apo 6000 euro të rritet, sepse me kaq para thonë zejtarët, mund të blejmë vetëm materialin, por jo edhe makinat e nevojshme për punë. /Alsat.mk