Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka emëruar Sibel Halimin, zëdhënëse Politike të LDK-së, njofton zyra për media e kësaj partie raporton Gazeta Express.
Halimi është anëtare e kryesisë së LDK-së dhe doktorante në departamentin e Sociologjisë në UP.
“Sibeli përveç se është anëtare e Kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës, është edhe sociologe e poete. Ajo është doktorante në Departamentin e Sociologjisë të Universitetit të Prishtinës. Deri tash ka të botuar tre libra me poezi: “Kopshti i Mëkateve” (2002), “Qenia nuk banon këtu” (2013), “Me ekzistu është vetë kuptimi” si dhe përmbledhjen eseistike “Shoqëri në Alarm” (2017). Merret aktivisht me trajtimin e problemeve socio-filozofike, ndërkohë që shkrimet e saj janë botuar në periodikun shqip e të huaj. Njihet si veprimtare e të drejtave të njeriut, me theks të veçantë për të drejtat e grave dhe vajzave. Lidhja Demokratike e Kosovës pret dhe fton për një bashkëpunim të nevojshëm me mediat dhe me publikun”, thuhet në njoftim.