Edhe pse të rinjtë kryejnë shkollimin në vend, përspektivën e shohin në vendet evropiane. Në këtë drejtim kemi edhe mungesë të numrit të nxënësve. Periudhën e fundit, siç raportohet me të madhe largohen profesionistë të ndryshëm si mjekë, inxhinierë administratorë e shumë të tjerë.
Dukurinë e largimit të të rinjëve nga Maqedonia e në veçanti nga Pollogu akademiku Izet Zeqiri e ilustron përmes zvogëlimit të numrit të nxënësve të shkollave fillore dhe të mesme si dhe të studentëve nga universitetet. Sipas analizës së tij komparative nga viti 2010/2011 deri 2016/2017 kemi zvogëlim 5298 nxënësve të shkollave të mesme në Pollog. Sipas Zeqirit zvogëlimi i nxënësve të shkollave të mesme në Pollog është më i madh se në çdo rajon tjetër.
Një gjë të tillë më së miri e dëshmojnë vetë të rinjtë të cilët thonë se nëqoftëse ju jepet mundësia për një jetë më të mirë, do ta braktisin vendin.
Banka Botërore kohë më parë publikoi se nga vitet e pesëdhjeta deri në fund të vitit 2013 nga Maqedonia janë larguar 626.312 njerëz, derisa sipas Eurostatit, nga viti 2005 kur Maqedonia fitoi statusin e kandidatit për anëtarësim në BE, gjithsejt 106.216 qytetarë të Maqedonisë janë bërë evropianë me shtetësi dhe pasaportë. Derisa Banka Botërore, EUROSTAT-i dhe Kombet e Bashkuara, përmes analizave sporadike dhe hulumtimeve bëjnë vlerësime të numrit të të larguarve nga Maqedonia dhe pasojave nga kjo dukuri, në vendin tonë sipas statistikantëve, ende nuk kemi një ndjekje relevante dhe matje të ekzodit të largimit. Të gjitha licitimet, me numrat për përdorim të brendshëm, vihen në pikëpyetje, për shkak se operacioni më i rëndësishëm statistikor – Regjistrimi i Popullatës, nuk është zbatuar që nga viti 2002.