Në një fotografi të publikuar në rrjetet sociale, zëvendësministri i Diasporës Janez Frrokaj shihet teksa pi kafe me të dënuarin për korrupsion Zef Komani.
Zëvendësministri i Diasporës Janez Frrokaj në një fotografi të publikuar në Facebook, shihet teksa pi kafe me Zef Komanin, ish- kryeinspektorin e Zyrës së Inspektoratit Shëndetësor në kuadër të Ministrisë së Shëndetësisë.
Komani ishte dënuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë me 1 vit e tetë muaj burg në vitin 2012 për keqpërdorim të pozitës zyrtare.
KALLXO.com kishte raportuar se në kohën e aktivitetit të paligjshëm, Komani ishte përgjegjës për inspektimin e klinikave private shëndetësore nëse ato respektonin ligjet dhe rregulloret e Ministrisë së Shëndetësisë.
Sipas aktakuzws, Komani kishte shqiptuar dhe kërcënuar se do të shqiptonte dënime të majme për disa klinika private shëndetësore me arsyen se nuk kishin respektuar rregulloret. Klinikat mund të evitonin këto dënime në rast se do të paguanin Komanin për “heshtjen” e tij në Ministri.
Zëvendësministri i Diasporës Janez Frrokaj tha për KALLXO.com se takohet me Komanin ngase të dy i takojnë subjektit të njëjtë politik Partisë Demokristiane të Kosovës.
“Ne jemi bashkëpartiakë. Ai është nënkryetar i partisë. Jam në vend të punës, nuk mund të them diçka më tepër, organet e kanë thanë punën e vet. Njerëzit e kanë votu unë e kam pranuar si nënkryetar të partisë, diçka tjetër më tepër nuk kam,” tha Frrokaj.
Komani është nënkryetar i Bashkësisë së Degëve të PSHDK-së në Gjakovë.
Zef Komani dënimin e tij e konsideroi të montuar kur foli për KALLXO.com.
“Montimi i këtij procesi ka ardhë si pasojë e punës sime si Kryeinspektor Shëndetësor i Kosovës, punë që i ka penguar mjaft mafisë shëndetësore.Këtë fakt mund ta vërtetojë lehtë çdokush që mund të ketë qasje në dokumente zyrtare, si në ato gjygjësore, po ashtu edhe në ato të Ministrisë së Shëndetësisë,” tha Komani, duke konstatuar se u dënua pa vendim të prokurorit, të gjyqtarit të procedurës paraprake dhe vetëm me një seancë gjyqësore.
Gjykata Themelore në Prishtinë konfirmoi për KALLXO.com se dënimi i Zef Komanit është bërë i plotfuqishëm.
“Ju njoftojmë se sa i përket të dënuarit Z.K kundër vendimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë është ushtruar ankesë në Gjykatën e Apelit të Kosovës. Po ashtu ju njoftojmë se kjo lëndë është bërë e plotfuqishme,“ thuhet në përgjigjen e Gjykatës në Prishtinë.
Komani u pyet nga KALLXO.com se a lejohen të dënuarit për korrupsion të jenë pjesë e Partisë Shqiptare Demokristiane, subjektit që i takon.
Ai deklaroi se të gjithë e dinë që është eliminuar nga puna që kryente.
“Jo vetëm për PSHDK-në, por edhe për opinionin e gjerë, e posaçërisht atë shëndetësor është e njohur se Zef Komani nuk ka qenë dhe nuk është i korruptuar, por është eliminua pse i ka luftua parregullsitë në shëndetësi dhe se me eliminimin e Zef Komanit jo që nuk u përmirësua gjendja edhe ashtu e keqe në shëndetësi por problemet në shëndetësi janë thelluar,” tha Komani për KALLXO.com.
KALLXO.com kontaktoi edhe me zyrtarë të Gjykatës Themelore në Gjakovë të cilët i pyeti në lidhje me ekzekutimin e vendimit të dënimit të Zef Komanit.
Hektor Vula, zyrtar në Gjykatën Themelore në Gjakovë, tha se Komani ka kryer dënimin e tij.
“Ju njoftojmë se Zef Komani, sipas urdhëresës së kësaj gjykate, PED.nr.165/13 të dt.13.11.2013 ka mbajtur dënimin pranë Qendrës Korrektuese Smrekonicë, prej dt.13.11.2013 gjer më 11.06.2014, me lirim të parakohshëm prej 3 muajsh,” tha Vula.
Ndërsa Komani deklaroi se është angazhuar në politikë, pasi nuk i është ndaluar ushtrimi i veprimtarive profesionale, publike apo politike.
“Ndiej obligim që të aktivizohem politikisht e së shpejti edhe në funksione publike. Angazhimin tim nuk e marr si një privilegj apo satisfaksion, por vetëm si obligim që të kontribuoj në rregullimin e jetës së qytetarëve të thjeshtë të Kosovës si dhe të luftoj të keqen në shëndetësi, e pse jo edhe në lëmenjtë tjerë jetësorë,” tha Komani.
Ai në maj të vitit 2016 i ishte drejtuar me një letër të hapur krerëve të shtetit të Kosovës duke pretenduar pafajësinë e tij dhe duke konstatuar se mund të argumentojë më shumë se 70 shkelje ligjore në gjykimin kundër tij.
KALLXO.com në fillim të këtij viti shkroi se në 2016-ën korrupsioni u dënua zbehtë nga gjykatat, ndërsa në Raportin e Progrest 2016 të Komisionit Evropian u konstatua se Kosova është në fazë të hershme të luftës kundër kësaj dukurie.