Zgjedhjet/ Basha mbyll listën me kandidatët, pritet prezantimi

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka përmbyllur në fundjavë procesin e nisur që në verë, atë të përzgjedhjes së kandidatëve për deputetë në zgjedhjet e 25 prillit, shkruan Panorama.

Java që lamë pas ishte më intensivja për kryedemokratin, duke pritur me radhë në zyrë drejtuesit politikë, por edhe drejtuesit e degëve për secilin qark, për të diskutuar mbi emrat përfundimtarë që do të jenë në listën shumemërore që do t’i dorëzohet KQZ-së për t’u regjistruar. Ashtu siç premtoi rreth tri vite më parë dhe e normoi në statutin e PD-së, lista finale që do regjistrohet në institucionin e zgjedhjeve do të marrë edhe bekimin e Kryesisë dhe Këshillit Kombëtar.

“Kryesia e PDSH-së vendos për: kandidatët për deputetë, pas konsultimit me anëtarësinë e plotë të PDSH sipas parimit ‘një anëtar, një votë’. Lista e kandidatëve për deputetë i paraqitet për miratim Këshillit Kombëtar”, thuhet në nenin 53 të statutit të Partisë Demokratike.

Sipas burimeve të gazetës “Panorama.al”, kryetari i PD-së do të thërrasë sot rreth pasdites Kryesinë për të diskutuar dhe miratuar listën me kandidatët.

Mbledhja me 28 anëtarët e kryesisë së PD-së, ku përfshihen nënkryetarët dhe sekretarët, do të zhvillohet në prani fizike, ndërsa fill pas tyre, kreu i PD-së do të mbledhë online 343 anëtarët e Këshillit Kombëtar për të miratuar apo rrëzuar listën me kandidatët që do t’i propozojë Kryesia e PD-së për zgjedhjet e 25 prillit.

Më pas pritet prezantimi i kandidatëve në një ceremoni.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme