Zgjedhjet e 11 majit, reagon për herë të parë BE-ja: Mazhoranca në pushtet përfitoi nga avantazhi i qeverisjes! Procesi i integrimit të Shqipërisë, një objektiv strategjik kombëtar

Bashkimi Evropian përmes zv.presidentes Kaja Kallas dhe komisioneres së integrimit Marta Kos ka reaguar lidhur me zgjedhjet e 11 majit në Shqipëri.


kaja kallas

Sipas tyre, zgjedhjet ishin të qeta dhe u administruan në mënyrë transparente dhe gjithpërfshirëse.

Më tej theksojnë se ka patur disa problematika që janë adresuar sa i përket presionit ndaj administratës dhe orientimit të votës, megjithatë vlerësojnë faktin që këto raste po shqyrtohen dhe hetohen.

Deklarata shton se shqiptarët në mënyrë masive preferojnë të vijojnë me procesin e integrimit në Bashkimin Evropian, një proces që përfshin gjithë aktorët e shoqërisë.

Deklarata e BE-së:

Të dielën, populli i Shqipërisë ushtroi të drejtën e tij demokratike për të votuar, duke zgjedhur përfaqësuesit e tij në Parlament. Ne urojmë të gjitha autoritetet kompetente që siguruan një zhvillim të mbarë të procesit në të gjithë vendin. Këto zgjedhje shënuan gjithashtu për herë të parë futjen e votimit nga jashtë vendit.

Sipas gjetjeve dhe përfundimeve paraprake të Misionit të Vëzhgimit të Zgjedhjeve të OSBE/ODIHR, zgjedhjet u administruan në përgjithësi në një mënyrë gjithëpërfshirëse dhe transparente, dita e votimeve ishte e qetë dhe e organizuar mirë, pavarësisht disa mangësive.

Zgjedhjet në tërësi ishin konkurruese dhe të zhvilluara në mënyrë profesionale, dhe kandidatët patën përgjithësisht mundësi të bëjnë fushatë lirshëm, megjithëse disa raportuan përballje me frikësime. Megjithatë, votimi u zhvillua në një mjedis shumë të polarizuar, ku garuesit nuk kishin të njëjtat kushte. Për shkak të përdorimit të përhapur të burimeve administrative dhe ndikimit institucional, mund të thuhet se mazhoranca në pushtet përfitoi nga avantazhi i qeverisjes. U hodhën akuza të shumta për ushtrim presioni mbi votuesit, veçanërisht punonjësit e administratës publike. Përpjekjet e koordinuara për të hetuar dhe ndjekur penalisht krimet zgjedhore janë një zhvillim pozitiv dhe kërkohet ndjekje e mëtejshme për të adresuar shqetësimet e vazhdueshme për parregullsitë zgjedhore. Pavarësia e mediave mbetet ende një çështje, dhe mbulimi i zgjedhjeve nga mediat vazhdoi të favorizojë partitë kryesore, ndërsa transparenca e financimit të fushatës mbeti e kufizuar.

BE do të ndjekë nga afër zhvillimet zgjedhore deri në çertifikimin përfundimtar të rezultateve. Të gjitha forcat politike duhet të sigurojnë funksionimin e pandërprerë të institucioneve të vendit.

Ne e inkurajojmë Shqipërinë të vazhdojë ndjekjen e të gjitha reformave të nevojshme për anëtarësimin e saj të ardhshëm në BE, përfshirë miratimin e një reforme të mëtejshme zgjedhore që adreson të gjitha rekomandimet kyçe të ODIHR-it, si dhe ato që mbeten ende të pazbatuara nga zgjedhjet e mëparshme. Procesi i integrimit të Shqipërisë në BE është një objektiv strategjik kombëtar dhe një projekt gjithëpërfshirës shoqëror, i cili gëzon mbështetje të fuqishme nga qytetarët shqiptarë. Ne e ritheksojmë thirrjen tonë për një dialog politik konstruktiv dhe gjithëpërfshirës, pasi të gjitha partitë politike dhe të gjitha sektorët e shoqërisë, nga organizatat e shoqërisë civile te komunitetet lokale, kanë një rol për të luajtur në avancimin e mëtejshëm të procesit të anëtarësimit të vendit në BE.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme