Gazetar: Adrian Kerimi
Për partitë e bllokut politik maqedonas nuk është pengesë mbështetja politike që opozitës shqiptare i vjen nga partitë simotra në shtetet fqinjë, përkatësisht Lëvizja Vetëvendosje. As përfshirja e kuadrove të këtij subjekti të cilët në fakt janë shtetas të Maqedonisë së Veriut, nuk përbën shkelje ligjore në rast se përfshihen në listat e opozitës shqiptare, përkatësisht Lëvizjes Evropiane për Ndryshim.
“Nuk e kemi të panjohur faktin kur parti politike simotra shprehin mbështetje ndaj njëra tjetrës në shtete tjera. Unë deri sot nuk kam pa që një parti e një shteti tjetër të merr pjesë në proces zgjedhor në një shtet tjetër. Nuk e di se si saktë është transmetuar deklarata e njërit të liderëve të opozitës. Duhet parë mirë se çfarë pretendohet dhe synohet me të”, deklaroi Dimitar Kovaçevski, kryeministër.
Lideri i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski thotë se për qëllimet e opozitës shqiptare gjatë përfshirjes së njerëzve që i takojnë subjekteve të tjera politike, duhet të pyeten liderët e opozitës.
“Ky është vendim i atyre që i kanë zgjedhur ata persona. Mendoj që dihet fakti që për të qenë pjesë e listës duhet të jeni shtetas i Maqedonisë, t’i plotësoni kushtet kushtetuese dhe ligjore. Ata që i fusin këta persona në rrethin e tyre duhet t’i pyesni se cili është qëllimi i tyre”, tha Hristijan Mickoski, Kryetar i VMRO-DPMNE-së.
Liderët e opozitës shqiptare, ditë më parë gjatë hapjes së shtabit zgjedhor në Sheshin Skënderbeu në Shkup shpalosën mbështetjen politike-deklarative që Lëvizja Vetëvendosje do t’i jep koalicionit opozitarë në zgjedhjet që pasojnë. Ata madje deklaruan se nuk përjashtohet mundësia që aktivistë të Vetëvendosjes nga Maqedonia e Veriut të jenë në listat për deputet të LEN-it. Sipas dispozitave ligjore, subjektet që duan të marrin pjesë në procese zgjedhore në vendin tonë duhet të jenë të regjistruara me vendim gjykate brenda territorit të Maqedonisë, ndërsa personat që marrin pjesë nga garat zgjedhore duhet të jenë shtetas të Maqedonisë së Veriut. Pjesëmarrje të shtetasve të huaj deri tani nuk ka pasur dhe sipas dispozitave ligjore nuk mund të ketë. /Alsat.mk