Kreu i Komunës së Tetovës Bilall Kasami konfirmoi interesimin e tij edhe për një mandat tjetër në krye të Komunës së Tetovës. Ai tha se në kuadër të koalicionit VLEN ka një marrëveshje parimore për tu mbetur komunat që tashmë i drejtojnë. Kasami pranoi se disa nga premtimet më të rëndësishme për mandatin e parë nuk janë realizuar duke shtuar se do të duhet të paktën edhe një mandat për realizimin e tyre. Kasami tha se nuk e ka takuar Ahmetin për të kërkuar mbështetje për një mandat të dytë.
“Na presin shumë punë në Komunë të Tetovës, shumë projekte dhe sigurisht se unë vlerësoj se do të më duhet së paku edhe një mandat për t’i përmbyllur këta projekte. Do të kisha thënë që dy mandate janë të mjaftueshme, i treti ndoshta mund të jetë i tepërt”, deklaroi Bilall Kasami, kryetar i Lëvizjes Besa.
Kishte edhe informacione për një takim të mundshëm mes jush dhe z. Ali Ahmeti. A ka gjasa për ndonjë marrëveshje tjetër me Fronti Evropian për mbështetje në Komunën e Tetovës, për të cilën ndoshta nuk është dakord VLEN-i?
“Këtë po e shoh si një tentim nga oponentët tanë për të relativizuar punët që bëhen dhe për të defokusuar opinionin nga kjo situatë me të cilën përballet BDI. Pra, në momentin kur BDI-ja po ballafaqohet me një betejë për legjitimitet sa i përket të kaluarës korruptive të saj, ata duan të krijojnë një ide se po takohemi me Bilall Kasamin, me kryetarin e Lëvizjes Besa dhe njërin nga liderët e koalicionit VLEN dhe gjithë jemi një, jemi bashkë, nëse jemi ne të korruptuar, edhe këta janë të korruptuar. Prandaj edhe një herë, Bilall Kasami nuk është takuar me Ali Ahmetin. Po të takohet Bilall Kasami me Ali Ahmetin, do të jetë transparente për opinionin”, u përgjigj Kasami. /Alsat.mk