Zgjedhjet lokale, partitë ende pa emra

Emrat e kandidatëve për zgjedhjet lokale ende janë në diskutime brenda partiake. Të pyetura nga TV SHENJA, përfaqësuesit e partive parlamentare thonë se ende nuk mund të shpallin emrat pasi janë duke u diskutuar në organet e partisë. Nga LSDM thonë se partia e tyre është e përgatitur për zgjedhjet lokale, duke i ftuar pjesëmarrësit në procesin zgjedhor si dhe institucionet kompetente që të mundësojnë hapësirë për zgjedhje të drejta, të lira dhe demokratike.
“LSDM është në tërësi e përgatitur për zgjedhjet lokale, të cilat pas ndryshimeve në nivel qendror, sjellin ndryshime edhe në nivel lokal. Presim zgjedhje të drejta dhe të lira dhe i ftojmë të gjithë pjesëmarrësit në procesin zgjedhor të sillen me pjekuri dhe përgjegjësi, ndërkaq presim edhe institucionet kompetente për organizimin e zgjedhjeve të jenë në krye të detyrës dhe të mbajnë përgjegjësi për sfidën e organizimit të zgjedhjeve të drejta, të lira dhe demokratike, të cilat në tërësi do të reflektojnë vullnetin e qytetarëve”, kanë thënë nga LSDM.
Ndërsa nga VMRO-DPMNE thonë se për momentin po shqyrtohen kandidatët, të cilët sipas tyre do të dalin ballë politikave të gabuara të Qeverisë së re.
“Përgatitemi, analizojmë ende nuk kemi sjellë vendime. Në afatin kohorë do ti zgjedhim kandidatët të cilët do ti zbatojnë nevojat reale të qytetarëve, por edhe kandidatë të cilët do të jenë të gatshëm ti kundërvihen kësaj poloitike të dëmshme të Qeverisë së re“, ka deklaruar Ilija Dimovski, VMRO-DPMNE.
Emrat përfundimtarë të kandidatëve për kryetar komunash dhe këshillat komunal ende nuk i kanë vendosur edhe nga BDI, Lëvizja Besa dhe LR PDSH. ndërkohë që Zëdhënësi I BDI-së, Bujar Osmani tre ditë më parë ka deklaruar se brenda BDI-së kanë filluar të gjitha aktivitetet për përcaktimin e kandidatëve për këshilla komunal dhe kryetarë komunash.
“Natyrisht se jemi gati. Zgjedhjet veç më janë shpallur dje, në fakt kanë filluar të gjitha aktivitetet brenda partisë për përcaktimin e kandidatëve për këshilla komunal, por edhe për kandidat për kryetar të komunave. Është ky një proces që e kemi filluar edhe para shpalljes së zgjedhjeve, për shkak se kemi pasur marrëveshje politike se ato do të mbahen më 15 tetor dhe është punuar në të gjitha sekretariatet e partisë sa i takon programit për çdo komunë veç e veç, së bashku me përfaqësuesit nga komunat por, edhe gjithashtu janë bërë edhe kontakte, anketime, biseda me forumet partiake, por edhe me qytetarë nga komuna të ndryshme për të gjetur kandidatët më të mirë”, ka thënë Bujar Osmani, zëdhënës i BDI-së.
Nga Lëvizja BESA nënvizojnë se përgatiten edhe për anëtarët e tyre në Komisionet votuese, ndërsa nga LR-PDSH, potencojnë që janë të të hapur të garojnë edhe në koalicione.
“Jemi në angazhimin më të madh të të gjitha strukturave partiake, nënkuptohet rreth kandidimeve që duhet ti kemi si subjekte politike për zgjedhjet e ardhshme lokale. Por nuk është vetëm çështja e kandidimeve për kryetar komune dhe lista e këshilltarëve, është shumë me rëndësi këtu edhe procesi, për shkak se ne tash kemi të drejtë si subjekt politik të jemi edhe pjesë e këshillave votues në vendvotime dhe në këtë drejtim është duke u punuar jashtëzakonisht shumë”, ka thënë Fadil Zendeli, Lëvizja BESA.
“Është faza e organizimit të brendshëm partiak, brenda përcaktimeve statutore, që ti zgjedhim kandidaturat për zgjedhjet e ardhshme lokale. Konkretisht nuk kemi akoma emra konkret në asnjë komunë, jemi në bisedime, në konsultime dhe shpresoj se kandidatët e Lëvizjes për Reforma do të jenë të denjë për tu futur në garë dhe rezultati do të jetë shumë i pritshëm dhe pozitiv për ne. Qëndrimet e partisë janë të gatshëm që të dalim si LR-PDSH, për çështje tjera do të jemi të hapur gjatë kësaj periudhe të bisedojmë me të gjithë faktorët politik”, ka deklaruar Surija Rashidi, LR-PDSH.
Komisioni shtetëror i zgjedhjeve, të hënën e miratoi kalendarin për realizimin e zgjedhjeve lokale 2017, për kryetarë të komunave, kryetarë të qytetit të Shkupit dhe këshilltarë komunalë dhe të qytetit të Shkupit. Sipas kalendarit të KSHZ-së, për zgjedhjet lokale që do të mbahen më 15 tetor, partitë politike obligohen që më së voni deri më 9 shtator ti dorëzojnë listat e kandidatëve për Komisionet komunale, respektivisht, 35 ditë para ditës së mbajtjes së zgjedhjeve.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme