Gazetar: Suad Bajrami
“Ndodhemi përpara Burgut të Idrizovës i cili është burgu më i madh në Maqedoninë e Veriut. Këtu, sot po votohet për zgjedhjet komunale, një ditë përpara ditës zyrtare të zgjedhjeve. Nga ajo që pamë është se procesi po vijon normalisht dhe nuk ka probleme”, raporton gazetari Alsat, Suad Bajrami.
Drejtori i Burgut të Idrizovës, Zoran Jovanovski thekson që kutitë e votimit janë hapur në 7 të mëngjesit dhe do të votohet deri në ora 19, ndërsa materiali zgjedhor është dorëzuar në kohë.
“Gjendja sipas numrave në burg është 1281, prej të cilëve 1.120 kanë të drejtë vote. Materiali zgjedhor u soll në kohë, vendvotimi u hap në kohë dhe vijon gjithçka në rregull”, tha Zoran Jovanovski, Drejtor i Burgut të Idrizovës .
Pritjet e të burgosurve, të cilët votuan nën masa të veçanta sigurie, janë që këto zgjedhje të sjellin kushte më të mira për jetesë, duke përfshirë më shumë gjelbërim, ajër të pastër, parkingje e rregull në komunikacion.
Anketë me të burgorsur
“Gjithçka të mirë në këtë shtet, u dëshiroj qytetarëve dhe njerëzve që të jetë mirë. Shpresojmë se gjithçka do të jetë në rregull”.
“Më shumë gjelbërim, më shumë të mira, të ndërtohet, të punësohen njerëzit. Domethënë për të gjithë të ketë punë”
“Më e rëndësishme në Veles është të rregullohen rrugët dhe parkingjet. Nuk kemi parking askund në qytet. Kaos është me veturat, çdo shtëpi e dytë apo e tretë ka nga 3 apo 4 vetura”.
“Parking patjetër duhet të ketë për tani, për veturat gjithashtu sepse po bëhen shumë ndeshje. Patjetër duhet të përforcohet për veturat”.
“Gjelbërim patjetër duhet të ketë fillimisht për fëmijët. Të bëhen sa më shumë parqe për fëmijët”.
“Fillimisht për të gjithë të jetë korrekt, të ofrojë ndihmë ndaj të gjithëve”.
“Sinqerisht nuk pres shumë pasi për atë nevojiten mjete të mëdha financiare, ndërsa për realizimin e atyre mjeteve financiare duhet të ketë burime”.
“Për mbeturinat duhen kamionë të rinj, për transportin e qytetit duhen autobusë të rinj ekologjik”.
Numri i të burgosurve që kanë të drejtë vote në nivel të shtetit është 2.162, të cilët votojnë në 14 Institucione Ndëshkuese Përmirësuese. Plotësisht të drejtën e votimit sot mund ta realizojnë edhe 8.848 persona të sëmurë dhe të pafuqishëm, por edhe 442 persona, banues të shtëpive për të moshuar./Alsat.mk



