Në ciklet e zgjedhjeve lokale të viteve të kaluara, në vendin tonë, jemi vet dëshmitarë se ka pasur manipulime, vjedhje, ka raste kur edhe është përdorur dhunë ndaj votuesve. Por, me ndrimin e sistemit qeverisës, pritet që të ndryshojë edhe qasja ndaj zgjedhjeve nga ana e partive politike. Zgjedhjet e Tetorit do të jenë të drejta, dhe në frymë demokratike, këto janë vetëm disa nga pritshmëritë. Njohësit e rrethanave politike thonë se ky është testi i parë real i Qeverisë së re dhe do të jetë tregimtar real nëse kjo Qeveri ka për qëllim BE-në dhe NATO-n ose do të vazhdohet me ‘avazin’ e vjetër.
Profesori, Bashkim Selmani thotë se është fakt, që këto zgjedhje lokale janë më të emancipuara në këtë fushatë elektorale, që flet se votuesit janë më të vetëdishëm për premtimet që u afrohe, por dhe sa do të realizohen të njejtat premtime.
“Kur bëhet fjalë për zgjedhje fer dhe demokratike, kjo varet nga partitë politike në raundin e dytë nga kalkulimet ndërpartiake, ku mund të paraqiten edhe vështirësitë në teren për keqkuptime dhe manipulime”, tha Selmani, për Almakos.
Ai shtoi se gjithçka varet se sa do dalin në zgjedhje, pjesa e elektoratit shqiptar. Sipas tij, një pjesë janë jashtë shtetit dhe pjesa tjertër që kanë kaluar në taborin maqedonas mund të sjellin të paprituta.
“Ne si shqiptar dyshoj se mund të dalim edhe si humbës në disa komuna”, deklaroi ai.
Politologu, Xhenur Iseni ndan mendimin se deri më tani është zhvilluar një fushatë e qetë pa ndonjë incident të theksuar. Sipas tij, nëse bazohemi në ciklet e zgjedhjeve të kaluara pritet që këto zgjedhje të jenë pjesërisht fer dhe korrekte.
“Zgjedhjet 15 tetori do të jenë sprova e parë e Maqedonisë para ndërkombëtareve se a është për eurointegrime apo për politika mesjetare të izoluara me zgjedhje jo demokratike. Por, duke e ditur se BDI ende është në skenën politike dhe në pushtet, jam skeptik që zgjedhjet do të jenë plotësisht fer dhe demokratike”, deklaroi Iseni, për Almakos.
Profesoresha universitare, Aurora Ndrio Karameti thotë se pas ndryshimit të Qeverisë do të ndryshojë edhe mënyra e proceseve zgjedhore.
“Besoj se nuk do ketë më manipulime si ato që kemi parë. Qeverisja ka ndryshuar”, tha Karameti, për Almakos.
“Unë jam optimiste se proceset zgjedhore do të jenë çdo herë e më fer e demokratike”, përfundoi ajo.
Sipas zv/kryeministrit për Çështje Evropiane, Bujar Osmani, Qeveria e vendit në tre muajt e parë është marrë me përgatitjen e zgjedhjeve lokale.
“Ato duhet të vijojnë si të lira, korrekte dhe kredibile. Ky është testi i parë për Qeverinë. Besoj se marrëdhënia e saj mund të shfaqet edhe në vetë ditët zgjedhore: këtu mund të shihet se si një qeveri i trajton mediat, votuesit, institucionet”, thotë Bujar Osmani.
Kujtojmë, deri në përfundimin e kësaj fushate kanë ngelur vetëm edhe 4 ditë, edhe pse pritet që zgjedhjet të jenë fer dhe demokratike, fushata zgjedhore ka kaluar nëpër disa incidente, për të cilët Almakos ka raportuar më heret./Almakos.com