NISMA dhe AKR përfundimisht jashtë Kuvendit të Kosovës
Në Kosovë, tashmë ka përfunduar procesi i numërimit të votave të zgjedhjeve të parakoshme parlamentare të mbajtura një muaj më parë. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka lënë të hapur mundësinë që sot të shpallen rezultatet përfundimtare të këtyre zgjedhjeve, të cilat e nxorën fituese lëvizjen Vetëvendosje ndërsa ende mbetet i paqartë nëse koalicioni i Nismës Socialdmeokrate me Aleancën Kosova e re, kanë arritur të kalojnë pragun zgjedhor prej pesë për qindësh.
Zyrtarë të këtij komisioni thanë se në përputhje me ligjin për zgjedhjet e përgjithshme do të presin ankesat e mundshme të subjekteve politike para se të shpallen rezultatet përfundimtare.
“Nëse nuk ka ankesa, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve mundet që gjatë ditës së nesërme, e enjte, të shpall rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve të datës së gjashtë tetorit. Duhet ta themi që me shpalljen e rezultatit përfundimtar nuk përfundon procesi zgjedhor pasi që subjektet politike dhe kandidatët kanë afat 24 orë të paraqesin ankesat e tyre në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa dhe pastaj ky institucion ka 72 orë kohë për të vendosur lidhur me këto ankesa”, tha Valmir Elezi, zëdhënës i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.
Rezultatet ende paraprake e nxorën fituese të zgjedhjeve lëvizjen Vetëvendosje e cila pritet të ketë 32 deputetë në parlamentin e ardhshëm të Kosovës, e pasuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës me 29 deputetë, pastaj Partia Demokratike me 25 deputetë dhe koalicioni Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Partia Socialdemokrate me 14 deputetë.
Por, këta numra mund të ndryshojnë në qoftë se koalicioni Nisma Socialdemokrate, Aleanca Kosova e Re dhe Partia e Drejtësisë e kalon pragun zgjedhor prej pesë për qind. Ky koalicion nëpërmjet një njoftimi tha se “tashmë do të jetë pjesë e parlamentit të Kosovës” duke pretenduar që ka fituar 5.02 për qind të votave.
Kjo çështje do të dihet pas publikimit të rezultateve përfundimtare nga ana e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, një muaj që nga mbajtja e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.