Problemit të demarkacionit Kosovë-Mali i Zi i erdhi fundi, por duket se në shtetin malazez ka ende liderë që kundërshtojnë ashpër pavarësinë e Kosovës.
Sot ku po mbahen zgjedhjet presidenciale atje, dy nga kandidatët për të parin e shtetit gjatë fushatës kanë paralajmëruar tërheqjen e njohjes për Kosovën.
Kandidati opozitar, Marko Milaçiq dhe ai nga koalicioni serb, Dobrilo Dedeic kishin thënë se njohja e Kosovës nga Mali i Zi ishte një gabim.
Milaçiq gjatë një tubimi kishte deklaruar se qeveria malazeze ka manipuluar me popullin kur e ka njohur Kosovën, transmeton lajmi.net
“Qeveria malazeze manipuloi me popullin e vet në lidhje me Kosovën. Do të insistojë në anulimin e vendimit të njohjes së këtij shteti”, kishte thënë Milaçiq.
Më i ashpër ishte, Dobrilo Dedeic.
Ai kishte theksuar se do ta tërheq edhe ambasadorin malazez në Kosovë. Madje kishte akuzuar Gjukanoviqin se po gënjen kur po thotë se tërheqja e njohjes është e pamundur.
Por, shqiptarët në Malin e Zi duket se kanë vendosur ta votojnë kandidatin favorit, Milo Gjukanoviq.
Gjukanoviq madje ditë më parë kishte thënë se Serbia e ka humbur përfundimisht Kosovën. Deklaratë e cila nxiti reagime të ashpra në shtetin serb.
Për ta votuar Gjukanoviqin kishte bërë thirrje edhe kryeministri, Ramush Haradinaj.
Gjukanoviq madje në një intervistë ditë më parë kishte premtuar se do ta respektonte marrëveshjen për korrigjimin e demarkacionit.
Në garë për president në Mal të Zi janë gjithsej 7 kandidatë. Votimet kanë nisur nga ora 07:00 dhe mbyllen në orën 20:00.