Gazetar: Adnan Qaili
Familjet e pacientëve, që humbën jetën gjatë pandemisë së virusit korona në Klinikën “Zhan Mitrev”, tani tri ditë mbajnë frymën për të kuptuar se çfarë bënë institucionet kur më të dashurit e tyre ishin pjesë e një të ashtuquajturi studim mjekësor, pa dijeninë e tyre, që sipas hulumtimit të IRL-së metoda e filtrimit të gjakut dyshohet se ishte shkaktar i dhjetëra vdekjeve nga infeksionet klinike.
Në konferencën për media të organeve kompetente, u fol shumë, por nuk u tha asgjë për t’i sqaruar opinionit përse “Zhan Mitrev” proklamoi si shpëtimtare hemo-filtrimin, që nuk e rekomandoi as OBSH-ja, shkruan Alsat.
“Nëse ankesa është në aspektin financiar, e keni Policinë Financiare që mund ta aktivizoni dhe të thoni për shkak të arsyeve financiare! Të ishte hemo-filtrimi 500 denarë askush nuk do të ankohej. A janë bërë eksperimente, do të shohim! Sot ka takim të trupit të ekspertëve që formuam për të vërtetuar këtë. A është vepruar para kohe, do ta dëshmojmë. A ka pasur infektime intro-spitalore, mund të vërtetohet. A i kanë informuar, do ta shohim”, tha Bekim Sali, Ministër i Shëndetësisë.
Nga Inspektorati Shëndetësor thanë se klinikës “Zhan Mitrefv” i kanë bërë 9 inspektime në dy vjet të pandemisë, por drejtoresha Irina Sotirova-Buhova nuk tregoi se çfarë u gjet në inspektimin e jashtëzakonshëm një ditë më parë.
“Infeksionet intro-spitalore duhet të paraqiten në qendrat e shëndetit publik, i cili do të nis zinxhirin e procedurës që të mundësohet inspektimi. Përderisa nuk ka nisur të funksionoj zinxhirin nuk komentoj”, u shpreh Irinia Sotirova-Buhova, Inspektorati Shtetëror Sanitar Shëndetësor.
“Keni pasur kohë dy vite, përse lejuat të bëhet eksperiment me njerëz të gjallë, me jetën e tyre dhe ajo të paguhet shtrenjtë. A duhej gazetarët apo mediat për ta aktivizuar zinxhirin, siç thotë zonja, ose dikush nga institucionet tuaja për të nisur vetë iniciativë, për punën që paguheni çdo ditë. Përse pritët dy vite dhe të humbasim qindra njerëz, e pastaj ta shohim se kush është fajtor?”, pyeti gazetari i Alsat, Adnan Qaili.
“A ka pasur gabim mjekësor është konstatim shumë serioz, andaj lejoni kolegëve që janë ekspertë ta thonë këtë”, tha Kalina Grivçeva-Stardellova, Oda Mjekëve.
Klinika Zhan Mitrev dje e ka pasur afatin e fundit për të dorëzuar dokumentacionet në Agjencinë e Barnave “Malmed” se kush u lejoi dhe përse e bënë eksperimentin me pacientët, i cili rezultoi fatal.
“Mos pritni veprime hetimore nga inspektorët e Malmed, të cilët janë nëpunës që punojnë në bazë të dokumenteve që u jepen. Nëse kryejmë studim klinik? Ose ka pasur pëlqim, ose jo! Ose e kemi respektuar protokollin ose jo! Ose ka deklarata të nënshkruara nga pacientët ose nuk ka! Dilema është se a ka pasur studim klinik pa miratim ose nuk ka pasur! A ishte përdorur në kohë të pandemisë si keqpërdorime, na duhet pak kohë ta konstatojmë”, tha Lirim Shabani, Drejtor i Agjencisë së Barnave “MALMED”.
Nëse nga para hetimi i Prokurorisë Publike konstatohen dyshimet e ngritura në opinion, Zhan Mitrev mund të dënohet me gjobë së paku 50 mijë euro, t’i merret licenca e punës, si dhe t’i mbyllet Klinika./ Alsat.mk