Zhbogar: Qeveria e re të formohet sa më shpejtë

Shefi i delegacionit të BE-së në Shkup, Samuel Zhbogar, ka deklaruar sot se po presin me padurim formimin e Qeverisë së re. Ai ka thënë se për Maqedoninë është e nevojshme që sa më shpejt të formohet Qeveri, pa marrë parasysh se kush do të jetë në të, me qëllim që vendi të vazhdoj rrugëtimin drejt integrimeve europiane. Zhbogar ka deklaruar se partitë politike duhet vet të vendosin se çfarë Qeverie do të formojnë, ndërsa ajo që është me rëndësi është që ajo të jetë e fortë, por edhe e përkrahur nga opozita, pa dallim se cila parti politike do të jetë në opozitë.

“Siç kemi deklaruar edhe më herët ne shohim që të gjitha partitë politike në vend e përkrahin agjendën e BE-së. Ne besojmë që pikërisht kjo agjendë e BE-së është fokusi që do të unifikonte të gjitha partitë politike në vendin tuaj dhe një agjendë e tillë çdoherë do të ketë nevojë për mbështetje të gjerë jo vetëm nga autoritetet dhe partitë që janë në Qeveri por edhe nga opozita”, ka deklaruar Samuel Zhbogar, Ambasador i BE-së në Shkup.

Sipas tij, komesari i për Zgjerim Johanes Han, e cili ka parlajmëruar që të vizitoj Shkupin zyrtar të enjtën, vjen që të informohet prej afër me zhvillimet në vend.

“Kur do të mbërrijë komesari Han në vendin tuaj, do të ketë takime bilaterale me partitë politike në vendin tuaj, por gjithashtu edhe me protagonistë të tjerë mendoj se me ardhjen e tij ai do të fitoj përshtypje më të mirë  nga dora e parë në lidhje me atë se deri ku qëndrojmë dhe në çfarë mënyre ne si Bashkim Evropian mundemi më tutje ta mbështesim vendin”, tha më tej Zhbogar.

Gjatë vizitës së tij në Prilep, Zhbogar po ashtu ka thënë se nuk munden dhe nuk duan që të përzihen në atë se kush do të formojë Qeveri.