Zhdukja e Eglant Koçit, Drejtori i Policisë Tiranë: Trupi po kërkohet nga një strukturë e posaçme, jemi përqendruar në kufirin mes Tiranës e Elbasanit

Drejtori i Policisë Tiranë, Oliger Torba, në një konferencë për mediat ditën e sotme ka deklaruar se vijojnë ende kërkimet për gjetjen e turpit të 34-vjeçarit Eglant Koçi, i cili është zhdukur prej ditësh.

Torba bëri me dije se kërkimet po kryhen nga një strukture e posaçme e krimeve të rënda, dhe janë përqendruar kryesisht në rrethinat e Tiranës dhe kufiri me Elbasanin.

“Hetimi po ndiqet nga struktura e krimeve të rënda e Drejtorisë së Policisë Tiranës. Nga ana jonë dhe aktualisht që po flasim, është ngritur një strukturë e posaçme që po kërkon në lidhje me trupin e shtetasit Eglant Koçi. Kërkimet janë shtrirë kryesisht në rrethinat e Tiranës, kufirit ndarës mes Elbasanit dhe Tiranës“, tha ai.

Po ashtu, në ndihmë kanë ardhur edhe Forcat e Sigurisë së Kosovës, por deri më tani nuk ka ende rezultate konkrete.

Eglant Koçi

Drejtori i Policisë Tiranë, Oliger Torba: Është një ngjarje shumë sensitive, nga ana e jonë është ngritur një grup i posaçëm hetimor, indicie në lidhje me këtë ngjarje është marrë nga familja e të humburit.

Fillimisht komisariati numër 2 ka kryer të gjitha procedurat, më pas duke bërë një analizë të thelluar të ngjarjes, është gjykuar dhe hetimi po ndiqet nga struktura e krimeve të rënda e Drejtorisë së Policisë Tiranës. Nga ana jonë dhe aktualisht që po flasim, është ngritur një strukturë e posaçme që po kërkon në lidhje me trupin e shtetasit Eglant Koçi.

Kërkimet janë shtrirë kryesisht në rrethinat e Tiranës, kufirit ndarës mes Elbasanit dhe Tiranës. Aktualisht krahas shërbimeve të Policisë së Shtetit, një ndihmë na ka ardhur edhe një njësi e posaçme nga FSK, po vijon kërkimi, deri tani nuk kemi pasur ndonjë rezultat konkret. Janë kontrolluar shumë zona ku kishim dyshimet tona pas analizave. Kërkimi vijon.

NGJARJA

Zhdukja e 34-vjeçarit Eglant Koçi ka ndodhur më 4 qershor në Tiranë, ku i dyshuari kryesor për ngjarjen është miku i tij, Armand Shakaj, i cili aktualisht vijon të jetë në kërkim nga policia.

Sipas hetimeve paraprake, Shakaj dyshohet se e ka thirrur Koçin në ambientet e biznesit të tij, pranë shkollës “Ismail Qemali”, përballë Drejtorisë së Policisë së Shtetit. Hetuesit dyshojnë se në këtë ambient 34-vjeçari është mbajtur peng dhe më pas është vrarë.

Në vijim të ngjarjes, dyshohet se Armand Shakaj ka përdorur një karrotrec për të transportuar automjetin e tij, brenda të cilit mendohet se ndodhej edhe trupi i pajetë i 34-vjeçarit, në drejtim të zonës së Ibës. Më pas, sipas dyshimeve të hetuesve, trupi është transportuar dhe fshehur në një zonë të thellë të Librazhdit, ndërsa autori i dyshuar ka tentuar të humbasë gjurmët.

Për të realizuar zhvendosjen e trupit dhe largimin e provave, dyshohet se Shakaj i ka kërkuar kamarierit Enea Zyferi të fikte dritat e ambientit, me pretendimin se do të nxirrte një frigorifer. Zyferi, i cili ndodhet nën akuzë për përkrahje të autorit të krimit, gjatë dëshmisë në gjykatë ka mohuar të ketë dijeni për fatin e Koçit.

“Armand Shakaj më kërkoi të fikja dritat. Më tha se do të nxirrte një frigorifer. Nuk kam asnjë dijeni për fatin e Eglant Koçit. E njoh sepse punoj si kamarier në lokalin e Armandit”, është shprehur ai para togave të zeza. Sipas tij, ai ka parë Koçin të hyjë në ambientet e biznesit, por nuk di asgjë më tej për atë që ka ndodhur.

Hetimet tregojnë gjithashtu se Shakaj i kishte kërkuar kamarierit që të dërgonte automjetin në lavazh për ta pastruar në fund të Bulevardit të Ri. Ndërkohë, edhe pse energjia elektrike ishte ndërprerë, kamerat e sigurisë kanë regjistruar lëvizje që sipas hetuesve dokumentojnë momentin kur trupi i Koçit vendoset në automjet.

Më tej, dyshohet se për të devijuar hetimet, motori i viktimës është dërguar në zonën e “5 Majit”, ndërsa ambienti ku dyshohet se ka ndodhur krimi është pastruar.

Gjatë kontrollit, hetuesit kanë gjetur gjurmë gjaku si në ambientin e biznesit ashtu edhe në automjetin e përdorur, çka ka forcuar dyshimet se 34-vjeçari është vrarë.

Armand Shakaj është shpallur në kërkim për veprat penale të rrëmbimit dhe vrasjes, ndërsa motivi i dyshuar i krimit lidhet me konflikte të mundshme për portofole kriptomonedhash.

The post Zhdukja e Eglant Koçit, Drejtori i Policisë Tiranë: Trupi po kërkohet nga një strukturë e posaçme, jemi përqendruar në kufirin mes Tiranës e Elbasanit appeared first on Gazeta Shqiptare Online.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme