Zhdukja e Eglant Koçit, zbardhen detaje të reja: Autori përdori karrotrec për të çuar makinën dhe trupin në Ibë! Në zyrë u gjetën mbetje baruti

Detaje të reja dalin në dritë në lidhje me zhdukjen e 34-vjeçarit Eglant Koçi, për të cilin policia ka shpallur në kërkim si autor të dyshuar shokun e ngushtë, Armand Shakaj.

Sipas burimeve për gazetaren Xhensila Kodra, Shakaj dyshohet se ka përdorur një karrotrec për të transportuar automjetin e tij, brenda të cilit mendohet se ndodhej edhe trupi i 34-vjeçarit, deri në zonën e Ibës. Ky veprim, sipas hetuesve, është kryer më 6 qershor.

Pamjet e kamerave të sigurisë tregojnë se trupi i Koçit dyshohet të jetë mbajtur në automjet për rreth një ditë e gjysmë, duke qenë se kontaktet e fundit me familjen i kishte pasur më 4 qershor.

Policia ka identifikuar pronarin e karrotrecit dhe e ka marrë në pyetje. Ai ka deklaruar se automjetin e kishte lënë pranë një servisi në zonën e Ibës, pasi Shakaj i kishte thënë se makina kishte pësuar defekt. Sipas dëshmisë së tij, pas dorëzimit të automjetit nuk ka pasur më dijeni për atë që ka ndodhur dhe nuk ishte në dijeni të përmbajtjes së mjetit.

Ndërkohë, në ambientet e zyrës ku dyshohet se është mbajtur Koçi, janë gjetur mbetje baruti. Grupi hetimor është në pritje të rezultateve të ekspertizës për të përcaktuar më saktë rrethanat e ngjarjes.

Prej disa ditësh, policia po përqendrohet në dy drejtime kryesore hetimi: gjetjen e trupit të Eglant Koçit në zonat përreth Tiranës, Elbasanit dhe Librazhdit, si dhe lokalizimin dhe arrestimin e Armand Shakajt, i cili është shpallur në kërkim si autor i dyshuar.

Burime të sigurta bëjnë me dije se 41-vjeçari ka ndryshuar gjashtë numra telefoni celular gjatë ditëve të fundit, në një përpjekje për të shmangur lokalizimin nga autoritetet.

The post Zhdukja e Eglant Koçit, zbardhen detaje të reja: Autori përdori karrotrec për të çuar makinën dhe trupin në Ibë! Në zyrë u gjetën mbetje baruti appeared first on Gazeta Shqiptare Online.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme