“Zhdukja” e Mijallkovit, janë organizuar protesta para Qeverisë për sot në ora 18:00

Sot në ora 18:00 disa aktivist nga organizata joqeveritare “Mos u bëj plehrë” do të protestojnë kundër sipas tyre, shtetit të kapur dhe lejimit të ikjes të ish shefit të Policisë Sekrete, Sasho Mijalkov. Një prej organizatorëve, Umejr Muhamedi në “Fejsbuk” shkruan se në momente të tilla, është turp që populli të qëndroje heshtur, shkruan Portalb.mk.

Protestat të cilat do të mbahen para objektit të Qeverisë së RMV-së nuk janë paraqitur në Ministrinë për Punë të Brendshme. Megjithatë, Muhamedi për Portalb.mk tha se një gjë e tillë nuk është e nevojshme.

“Protestat i organizojmë ne si aktivist të disa organizatave joqeveritare, kryesisht është organizata “Mos u bëj plehrë”. Është paraparë të mbahet në ora 18:00 para objektit të Qeverisë së Maqedonisë së Veriut” tha Umejr Muhamedi.

Ndryshe, Ish shefi i Policisë Sekrete, Sasho Mijallkov, është arratisur pak para se gjykata ta shpallë aktgjykimin për rastin “Target-Fortesa” në të cilin ai është i dyshuar se e ka kryer përgjimin masiv në RMV. MPB sot e nxori me fotografi dhe biografi të shkurtër në tablonë e personave që kërkohen me fletë-arrest të brendshëm dhe ndërkombëtar.

Prokuroria dyshon se dikush i ka ndihmuar, pasi ka derisa policia ka qenë duke e vëzhguar dhe ka pasur kontakt vizual. Reagime të shumta për arratisjen e tij ka pasur si nga qytetarët nëpër rrjetet sociale, por edhe nga kryeministri e presidenti. Kërkohet përgjegjësi, por ende nuk është gjetur përgjegjësia për kushëririn e Mijallkovit, Nikolla Gruevski, i cili u arratis nga Maqedonia e Veriut në Hungari, për t’i shpëtuar burgut. Për dallim prej tij, Mijallkov kishte deklaruar se nuk është “stili i jetës së tij, ikja”, megjithatë iku.

Rasti Target-Fortesa

Të akuzuarit në këtë rast janë, Sasho Mijallkov, ish-ministrja e Brendshëm, Gordana Jankulloska dhe disa punonjës të ish-DSK-së të cilët akuzohen për përgjime të paligjshme të mbi katër mijë numrave telefonikë midis viteve 2008-2015.

Në fjalët përfundimtare, dy prokurorët kërkuan pesë vite dënim për përgjegjësit e përgjimeve të paligjshme dhe pesë vite dënim për keqpërdorimin e pozitës zyrtare për të akuzuarit e rastit.

Sipas aktakuzës, përmes tre sistemeve për përgjimin e komunikimeve në DSK, në periudhën nga viti 2008 deri në vitin 2015, 4,286 numra telefoni janë ndjekur në mënyrë të paligjshme për të cilat nuk janë lëshuar fare urdhëresa gjyqësore.

Komunikimi ishte ndjekur para se të lëshoheshin dhe pas skadimit të vlefshmërisë së urdhrave të gjykatës në 1,541 numra ose gjithsej 5,827 numra telefoni. Të përgjuar ishin mbi 20 mijë qytetarë.

Mijallkov, në dëshminë e tij të parë pretendonte se nuk ka asnjë provë se mijëra bisedat e regjistruara janë nga Drejtoria dhe se përgjimet janë realizuar atje. Ai pretendoi se shumë lehtë përgjimi ka mund të bëhej jashtë sistemeve të DSK-së.

Me datë 26 shkurt gjykata do ta shqiptojë aktgjykimin.