Zgjedhjet parlamentare dhe presidenciale në Maqedoninë e Veriut, protokolli ndërmjet Shqipërisë dhe Italisë për “forcimin e bashkëpunimit në fushën e migracionit”, tensionet dhe protestat në Shqipëri, tensionet midis Prishtinës dhe Beogradit, vizitat e nivelit të lartë në vendet e rajonit përfshirë atë të presidentit turk Recep Tayyip Erdoğan në Shqipëri, janë ndër temat kryesore që karakterizuan këtë vit.
Këto janë disa nga zhvillimet më të rëndësishme në tre vendet e rajonit që shënuan vitin 2024 dhe që Anadolu i sjell në mënyrë kronologjike.
Maqedoni e Veriut:
Më 22 janar u mbajt takimi i liderëve të vendeve të rajonit kushtuar Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor, ku morën pjesë kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, kryeministri shqiptar Edi Rama, kryeministri kosovar, Albin Kurti, kryeministri malazez, Milojko Spajiq, si dhe drejtori i përgjithshëm për negociatat e fqinjësisë dhe zgjerimit në Komisionin Evropian, Gert Jan Koopman dhe ndihmës-sekretari amerikan i Shtetit i për Çështjet Evropiane dhe Euroaziatike, James O’Brien. Në këtë takim u njoftuan pritjet e përbashkëta për kontributin e planit në integrimin e përshpejtuar të vendeve të rajonit drejt BE-së.
Më 25 janar, kryetari i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi dhe kryeministri Dimitar Kovaçevski dhanë dorëheqje, në kuadër të përgatitjeve për zgjedhjet parlamentare që u mbajtën më 8 maj të këtij viti.
Më 28 janar, Kuvendi i Maqedonisë së Veriut votoi qeverinë teknike, të udhëhequr nga kryeministri Talat Xhaferi, e cila në bazë të “Marrëveshjes së Përzhinos” qeveria e rregullt jep dorëheqje dhe 100 ditë para ditës së zgjedhjeve zgjidhet qeveria teknike, e cila organizon zgjedhjet.
Më 14 shkurt, kryetari i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Jovan Mitreski, shpalli zgjedhjet presidenciale dhe ato parlamentare, që u mbajtën më 24 prill dhe 8 maj.
Më 29 mars, Maqedonia e Veriut dhe Italia nënshkruan Marrëveshjen teknike për përfshirjen e Forcave Ajrore Italiane në misionin e patrullimit ajror të NATO-s mbi qiellin e Maqedonisë së Veriut, marrëveshje e cila u nënshkrua në Shkup nga ministrja e Mbrojtjes e Maqedonisë së Veriut, Sllavjanka Petrovska dhe ministri italian i Mbrojtjes, Guido Crosetto.
Më 15 prill, ministri i Punëve të Jashtme i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, njoftoi se vendi është bashkë-sponsore e Rezolutës së OKB-së me titull “Dita Ndërkombëtare e Reflektimit dhe Përkujtimit të Gjenocidit në Srebrenicë në vitin 1995” në të cilën një nga pikat kryesore është përcaktimi i ditës për përkujtim të masakrës së Srebrenicës, më 11 korrik, për çdo vit.
Më 8 maj, në Maqedoninë e Veriut u mbajt raundi i dytë i zgjedhjeve presidenciale, ku arriti të sigurojë fitore kandidatja e VMRO-DPMNE-së, Gordana Siljanovska-Davkova, ndaj kandidatit të LSDM-së Stevo Pendarovski, si dhe zgjedhjet parlamentare ku partia atëkohë në opozitë, VMRO-DPMNE, fitoi shumicë të votave për të formuar qeverinë e re.
Më 19 maj, Gordana Siljanovska-Davkova u betua si presidente e Maqedonisë së Veriut, gruaja e parë në këtë post.
Më 24 qershor, Kuvendi i Maqedonisë së Veriut zgjodhi qeverinë e re të udhëhequr nga lideri i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski, së bashku me Lëvizjen VLEN dhe Lëvizjen ZNAM në koalicion qeveritar.
Më 5 gusht, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, vizitoi Maqedoninë e Veriut, ku u prit në takim nga homologu i tij, Hristijan Mickoski.
Më 5 shtator, ministri i Punëve të Jashtme i Türkiyes, Hakan Fidan, qëndroi për një vizitë zyrtare në Maqedoninë e Veriut, ku u prit nga ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme, Timço Mucunski, si dhe nga kryeparlamentari Afrim Gashi dhe kryeministri Hristijan Mickoski.
Më 23 shtator, kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Elisa Spiropali, qëndroi në vizitë zyrtare në Maqedoninë e Veriut, ku u prit me nderime të larta shtetërore dhe ushtarake nga homologu i saj nga Maqedonia e Veriut, Afrim Gashi.
Më 27 shtator, kryeministri hungarez, Viktor Orban, qëndroi për vizitë zyrtare në Maqedoninë e Veriut, ku u pritur në takim në vilën e kryeministrit në Ohër nga homologu i tij maqedonas, Hristijan Mickoski.
Më 12 tetor, ish-kryeminstri i Skocisë, Alex Salmond, humbi jetën në qytetin Ohër.
Më 24 tetor, presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, qëndroi për vizitë në Shkup në kuadër të turneut të saj në vendet e Ballkanit Perëndimor, ku është pritur në takim nga kryeministri Hristijan Mickoski, pas çka shprehu bindje se mund të tejkalohen pengesat në rrugën e anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut drejt BE-së.
Më 19 nëntor, sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, vendosi të emërojë ish-zyrtaren e lartë nga Maqedonia e Veriut, Radmila Shekerinska, për zv.sekretare të përgjithshme të aleancës ushtarake.
Më 21 nëntor, Xhamia Jeni (Xhamia e Re) në qytetin e Manastirit u inaugurua si një muze i trashëgimisë kulturore të krishterimit dhe islamit, pas çka komuniteti musliman në vend reagoi duke shprehur “shqetësim të thellë” për këtë masë.
Më 11 dhjetor, Gjykata Kushtetuese e Maqedonisë së Veriut në seancën e 32-të të saj vendosi të mbajë seancë përgatitore lidhur me iniciativat për vlerësimin e kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë së Ligjit për përdorimin e gjuhëve, si dhe të kërkojë ‘Amicus curiae’, respektivisht një “këshillë miqësore” nga Komisioni i Venedikut, teksa para ndërtesës së gjykatës vijuan protestat e organizuara nga opozita shqiptare me kërkesë që të mos shfuqizohet ky ligj.
Më 21 dhjetor, kryetari i Asamblesë së Madhe Kombëtare të Türkiyes (TBMM), Numan Kurtulmuş, filloi vizitën e tij treditore në Maqedoninë e Veriut, në kuadër të Ditës së Arsimit në Gjuhën Turke, 21 Dhjetorit, ku dhe ndër të tjera zhvilloi takime të nivelit të lartë me zyrtarët shtetëror të vendit.
Më 26 dhjetor, në Shkup u mbajt forumi i biznesit ndërmjet Türkiyes dhe Maqedonisë së Veriut, me rastin e vizitës në vend të ministrit turk të Tregtisë, Ömer Bolat.
Shqipëri:
Më 28-29 janar, ministri i Jashtëm turk, Hakan Fidan, zhvilloi një vizitë zyrtare në Shqipëri, duke u takuar me zyrtarë të lartë të vendit, ndërsa në fokus të bisedimeve ishin marrëdhëniet dypalëshe si dhe zhvillimet rajonale dhe globale.
Më 15 shkurt, sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, realizoi një vizitë zyrtare në Shqipëri, ndërkohë u takua me zyrtarë të lartë.
Më 22 shkurt, Kuvendi i Shqipërisë ratifikoi protokollin ndërmjet Shqipërisë dhe Italisë për “forcimin e bashkëpunimit në fushën e migracionit”. Protokolli për qendrat e emigrantëve u nënshkrua mes dy vendeve më 6 nëntor 2023, ndërkohë marrëveshja shkaktoi reagime në Shqipëri dhe Itali.
Më 28 shkurt, në Tiranë u mbajt Samiti Ukraina-Evropa Juglindore, me pjesëmarrjen e liderëve nga vendet e Evropës Juglindore dhe vendet e Ballkanit Perëndimor, ndërkohë kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama dhe presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy, ishin bashkëorganizatorë të samitit.
Më 29 shkurt, u mbajt Samiti Rajonal mbi Planin e Rritjes dhe Konvergjencës me fokus integrimin drejt Bashkimit Evropian (BE), si edhe zbatimin e Planit të Rritjes të BE-së për Ballkanin Perëndimor, me pjesëmarrjen e liderëve nga vendet e rajonit dhe përfaqësuesve të institucioneve dhe organizatave të ndryshme ndërkombëtare.
Më 1 mars, autoritetet shqiptare njoftuan se dronët turq “Bayraktar” TB2 mbërritën në Shqipëri, duke u konsideruar si produkt i Partneritetit Strategjik Shqipëri-Türkiye dhe në kuadër të modernizimit të Forcave të Armatosura shqiptare si anëtare të NATO-s.
Më 4 mars, në Shqipëri u inaugurua Baza Ajrore Taktike e NATO-s në Kuçovë të Qarkut të Beratit, e para bazë e Aleancës në rajonin e Ballkanit Perëndimor.
Më 5 mars, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar e Shqipërisë (GJKKO) dënoi me dy vite burg kryetarin e zgjedhur të Bashkisë së Himarës, Alfred Beleri. Arrestimi dhe dënimi i Belerit për veprën penale “Korrupsioni aktiv në zgjedhje”, i cili njihet si anëtar i minoritetit grek në Shqipëri, shkaktoi reagime në Shqipëri dhe Greqi.
Më 5 prill, filluan protestat për të “denoncuar rastet e korrupsionit në Bashkinë e Tiranës”, që vazhdojnë prej disa muajsh. Protestat organizohen pas arrestimit në fund të muajit mars të vitit 2024 të disa ish-zyrtarëve të Bashkisë së Tiranës, të akuzuar për korrupsion. Disa nga protestat janë shoqëruar edhe me tensione dhe përplasje me forcat e policisë.
Më 28 qershor, Instituti i Statistikave të Shqipërisë (INSTAT) prezantoi të dhënat kryesore të “Censit të Popullsisë dhe Banesave 2023 në Shqipëri”, ku rezulton se popullsia banuese në vend është mbi 2,4 milionë banorë, me rënie prej 420 mijë persona krahasuar me censin e vitit 2011.
Më 30 korrik, Kuvendi i Shqipërisë miratoi ndryshimet në kabinetin qeveritar, në disa ministri dhe drejtimin e Kuvendit, ku Elisa Spiropali u zgjodh në postin e kryeparlamentares.
Më 30 shtator, Kuvendi i Shqipërisë u përfshi nga tensionet, ku deputetët e opozitës pas përplasjeve dhe tensioneve brenda sallës së seancës dogjën edhe karriget e tyre në ambientet e jashtme të parlamentit. Tensionet, por edhe protestat vazhduan për disa javë për shkak të dënimit me 1 vit burg të ish-deputetit të PD-së, Ervin Salianji, për veprën penale “kallëzim i rremë”.
Më 10 tetor, Presidenti i Türkiyes, Recep Tayyip Erdoğan, realizoi një vizitë zyrtare në Shqipëri. Gjatë vizitës, me pjesëmarrjen e presidentit Erdoğan, kryeministrit Edi Rama dhe zyrtarë të tjerë nga të dy vendet, u inaugurua Xhamia e Namazgjasë, e ndërtuar me kontributin financiar të Türkiyes.
Më 15 tetor, u mbajt Konferenca e Dytë Ndërqeveritare mes Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian (BE), duke shënuar hapjen zyrtare të negociatave për grup-kapitujt e parë, për procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në BE. Konferenca e tretë ndërqeveritare Shqipëri-BE u mbajt më 17 dhjetor.
Më 16 tetor, mbërriti në Shqipëri grupi i parë i emigrantëve të paligjshëm, në kuadër të marrëveshjes së nënshkruar mes Shqipërisë dhe Italisë për qendrat e emigrantëve, ndërkohë grupi në fjalë u largua përsëri pas disa ditësh.
Më 21 tetor, arrestohet ish-presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, me akuzat për pastrim parash, korrupsion dhe mosdeklarim pasurish.
Më 18 nëntor, pas një konflikti mes disa të miturve pranë një shkolle mbeti i vrarë me thikë një nxënës 14-vjeçar dhe një tjetër u plagos. Kjo ngjarje shkaktoi reagime dhe protesta mbi sigurinë në shkolla dhe ambientet përreth tyre.
Më 27 nëntor, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar (GJKKO) vendosi heqjen e masës së sigurisë arrest në shtëpi për ish-kryeministrin e Shqipërisë, Sali Berisha. Masa ndaj tij ishte vendosur më 30 dhjetor 2023, sipas autoriteteve i dyshuar për korrupsion.
Më 21 dhjetor, në Shqipëri autoritetet konfirmuan se rrjeti social TikTok do të mbyllet në vend për një vit. Nisma në fjalë vjen pas vrasjes nga një bashkëmoshatar i tij të një nxënësi 14-vjeçar dhe pas rasteve të konflikteve mes të miturve që ekspozohen edhe online.
Kosovë:
Më 1 janar, me vendim të Parlamentit Evropian, shtetasve të Kosovës ju hoq regjimi i vizave për të qarkulluar në zonën Schengen.
Më 4 janar, Qeveria e Kosovës merr vendim për largimin e regjimit të vendosjes së letrave ngjitëse/stikerave për automjetet me tabela të Serbisë që hyjnë në territorin kosovar.
Më 18 janar, Banka Qendrore e Kosovës (BQK) mori vendim që nga 1 shkurti në Republikën e Kosovës valuta e euros të jetë valuta e vetme e lejuar për kryerjen e transaksioneve me para të gatshme.
Më 2 shkurt, me urdhër të Prokurorisë së Kosovës dhe në koordinim me Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë, Policia e Kosovës zhvilloi aksion për mbylljen e strukturave paralele të Serbisë të cilat kanë operuar në rajonin e Pejës.
Më 2 prill, Qeveria miratoi Projektligjin për Ratifikimin e Marrëveshjes Kornizë Ushtarake ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Qeverisë së Republikës së Türkiyes. Marrëveshja parasheh bashkëpunim në fushën e stërvitjeve dhe edukimit ushtarak, në industri të mbrojtjes, shkëmbim të inteligjencës ushtarake, mjekësi ushtarake dhe operacione paqeruajtëse dhe humanitare.
Më 5 prill, Republika e Kosovës filloi me procesin e regjistrimit të popullsisë, ekonomive familjare dhe banesave. Sipas rezultateve të ASK-së, bashkë me komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës, ku ky proces u bojkotua nga banorët, numri total i banorëve është vlerësuar të jetë 1.602.515 banorë rezidentë.
Më 21 prill, u mbyll procesi i votimit në katër komunat veriore me shumicë serbe, vendvotimet ku qytetarët patën mundësinë të votojnë për apo kundër shkarkimit të kryetarëve aktualë. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve njoftoi se vetëm një numër i vogël i qytetarëve e shfrytëzuan të drejtën e votimit, për shkak të bojkotimit të këtij procesi nga serbët lokalë.
Më 6 maj, është përuruar restaurimi i Xhamisë “Alauddin” në Prishtinë mundësuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Vakëfeve e Republikës së Türkiyes.
Më 7 maj, Ministria e Punëve të Brendshme (MPB) e Kosovës mori vendim që mundëson kalimin nga patentë shoferi i lëshuar nga institucionet jolegale serbe në Kosovë, në ato zyrtare, të lëshuara nga institucionet kosovare.
Më 20 maj, Policia e Kosovës mbylli gjashtë njësi të të ashtuquajturës Bankë Postare e Kursimeve (Banka Postanske Stedionica) si institucion i jashtëligjshëm financiar i Serbisë në territorin e Republikës së Kosovës.
Më 23 maj, Kuvendi i Kosovës miratoi marrëveshjen ndërkombëtare me Danimarkën për dhënien me qira të Institucionit Korrektues në Gjilan me Qëllim të Ekzekutimit të Dënimeve Daneze. Marrëveshja do të vlejë për 10 vjet ndërsa Kosova do të përfitojë 210 milionë euro.
Më 13 qershor, Qeveria e Kosovës miratoi pakon e sanksioneve ndaj Republikës Islamike të Iranit. Në mbledhjen e kabinetit qeveritar u bë e ditur se sanksionet janë të koordinuara me Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA), Bashkimin Evropian (BE) dhe aleatët e tjerë.
Më 26 qershor, Përfaqësuesi i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri Josep Borrell dhe emisari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, u takuan ndaras me kryeministrin e Kosovës Albin Kurti dhe me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq, pa një takim trilateral.
Më 11 korrik, Kuvendi i Kosovës në një seancë të jashtëzakonshme me rastin e Përkujtimit të viktimave të masakrës në Srebrenicë – Bosnje e Hercegovinë, ka miratuar Deklaratën për përkujtim të gjenocidit në Srebrenicë.
Më 16 korrik, Tajlanda u bë vendi i radhës që hoqi regjimin e vizave për qytetarët e Kosovës.
Më 22 korrik, Këshilli i Bashkimit Evropian ka miratoi rregulloren që ua lejon edhe serbëve të Kosovës që bartin pasaporta të lëshuara nga Drejtoria Koordinuese Serbe në Beograd, lëvizjen e lirë pa viza sikurse të gjithë rajonit të Ballkanit Perëndimor.
Më 28 korrik, xhudistja kosovare Distria Krasniqi, fitoi medalje të argjendtë në Lojërat Olimpike “Parisi 2024”.
Më 21 gusht, Kosova pranoi vendimin e Qeverisë së Republikës së Türkiyes e cila ka ndarë për Ministrinë e Mbrojtjes së Republikës së Kosovës rreth 1 milionë dollarë amerikanë donacion për ngritjen e kapaciteteve ushtarake të Forcës së Sigurisë së Kosovës.
Më 6 shtator, Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës në Kosovë, Donika Gërvalla, priti në takim homologun e saj turk, Hakan Fidan.
Më 11 tetor, gjeneralmajori i ushtrisë italiane, Enrico Barduani, mori zyrtarisht detyrën e shefit të misionit të NATO-s në Kosovë – KFOR. Këtë pozitë për një vit e kishte gjeneralmajori i ushtrisë turke, Özkan Ulutaş.
Më 11 tetor, me ceremoni solemne, ministri i Mbrojtjes i Kosovës, Ejup Maqedonci, priti në takim ministrin e Mbrojtjes Kombëtare të Türkiyes, Yaşar Güler. Ministri Güler theksoi se Türkiye është e interesuar të vazhdojë të japë kontributin e saj në stabilitetin e rajonit, integritetin, sovranitetin dhe sigurinë e Kosovës.
Më 29 tetor, Kosova dhe Arabia Saudite nënshkruan marrëveshje për shërbime ajrore direkte ndërmjet dy vendeve.
Më 18 nëntor, Qeveria e Republikës së Kosovës dhe ajo e Republikës së Maqedonisë së Veriut në mbledhjen e përbashkët në Prishtinë nënshkruan marrëveshje bilaterale në fushën e energjisë, në arsim si dhe për lehtësimin e lëvizjes së lirë të qytetarëve të dy vendeve.
Më 29 nëntor, një shpërthim i fuqishëm me pasoja ndodhi mbrëmjen e 29 nëntorit në fshatin Varagë të Zubin Potokut, në veri të Kosovës, si pasojë të cilit ishte dëmtuar kanali i ujit të Ibër-Lepencit. Autoritetet kosovare deklaruan se sulmi kishte shënjestruar infrastrukturën kritike të vendit – sistemin e furnizimit me ujë dhe prodhimin e energjisë elektrike, duke e akuzuar Serbinë për këtë sulm.
Më 13 dhjetor, Qeveria e Kosovës mori vendim me të cilin shtetasit e Bosnjë e Hercegovinës nga 1 janari 2025 të mund të udhëtojnë me letërnjoftim biometrik drejt Kosovës.
Më 16 dhjetor, Qeveria e Republikës së Kosovës nënshkroi marrëveshje me prodhuesin shtetëror turk të industrisë së mbrojtjes “Makine ve Kimya Endüstrisi” (MKE) për funksionalizimin e fabrikës së municioneve në Kosovë, e cila do të prodhojë kalibra të ndryshëm të municioneve sipas standardeve të NATO-s.
Më 20 dhjetor, Kryeministri i Kosovës Albin Kurti dhe Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama kanë nënshkruar Marrëveshje të Bashkëpunimit ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë për organizimin e Lojërave Mesdhetare 2030.