Gazetare: Fatlume Dervishi
VLEN do të kërkojë nga kryeministri Hristijan Mickoski të rishikohet marrëveshja për koalicionin qeveritar, pas largimit të Aleancës për Shqiptarët nga VLEN. Kreu i Besës Bilall Kasami beson se kjo nuk nënkupton krizë politike dhe zgjedhje të parakohshme duke qenë se numrat garantojnë një qeveri stabile. Edhe parti të tjera, sipas tij, mund t’i bashkohet koalicionit, por se cilat janë ata, nuk potencohet.
“Sigurisht që në rrethanat e reja të krijuara ne do të kërkojmë nga kryeministri që të shqyrtojmë marrëveshjen si koalicion. Pjesa tjetër mbetet të diskutohet se si do të vazhdojë më tutje formati I qeverisë. Por ne sigurisht si VLEN do të kërkojmë të ulemi dhe të bisedojmë edhe një herë për pozitat në qeveri. Ka individë dhe subjekte politike nga opozita të cilët janë të gatshëm të jenë pjesë e shumicës parlamentare”, deklaroi Bilall Kasami, kryetar i Lëvizjes Besa.
Ndërkohë që nga vendimi i partisë së Arben Taravarit nuk kanë pushuar qëndrimet thumbuese mes ish partnerëve. Taravari akuzohet për marrëveshje me BDI-në në dëm të koalicionit.
“Sot, përballë dy koalicioneve të qarta – VLEN dhe Fronti Europian i udhëhequr nga BDI – çdo largim nga VLEN-i nuk është neutralitet, por është një kalim tek Fronti, tek BDI-ja, ose, më saktë, tek Plaku i Soravisë. E thënë troç: kush largohet nga VLEN-i, është në shërbim të Partisë Nongrata. Pa dramatizime në rolin e viktimës, pa interpretime simbolike e pa ekzegjeza politike. Ky është realiteti politik”, tha Zeqirija Ibrahimi, Kryetar i Alternativës.
“Ndryshimi është i vështirë në fillim, i ngatërruar në mes, dhe i jashtëzakonshëm në fund. Por askush s’e ndal dot. As oportunistët, as demagogët që refuzojnë të ndryshojnë. As politikanët e varur, as oligarkët që duan ta mbajnë peng politikën”, u hspreh Izet Mexhiti, kryetar i LD-së.
Taravari nga ana tjetër, ironizon me idenë e ndryshimit, të cilën deri dje e promovoi.
“Një nga thirrjet më qesharake është apeli për ndryshim nga dikush që vet përdor metoda të një mentaliteti politik të vjetër. Ndryshimi fillon nga vetja por për dikë kërkon më shumë kohë e për dikë më pak…fatkeqësisht ka disa që nuk ndryshojnë dot asnjëherë!”, theksoi Arben Taravari, Kryetar i Aleancës për Shqiptarët.
ASH-ja e Taravarit nuk përjashton as mundësinë e bashkimit me ASH-në e Selës. Sipas tyre, në politikë edhe kjo është e mundur.
“Në qoftë se e konsideron subjektin politik si shtëpi, unë mendoj se nuk duhet të presësh as ftesë dhe as leje, por duhet të vish. Edhe në ndarjen tonë nuk kishte diçka spektakolare, nuk kishte asnjë gjë jashtë normales përveç kritikave, nuk kishte thyerje xhamash e shtabesh por kishte një ndarje miqësore”, deklaroi Blerant Ramadani, Sekretar i Përgjithshëm i ASH-së.
Ziadin Sela reagoi dje për herë të parë që kur kishin filluar përplasjet mes VLEN dhe Taravarit. Ai në njërin nga reagimet, aludon në atë që Taravari nuk posedon asgjë për ta quajtur ASH-në e tij shtëpi.
“Sipas traditës dhe të drejtës zakonore shqiptare shtëpia, nuk është thjesht objekti ku rri por është nam dhe identitet! Të madhe apo të vogël një derë e një shtëpi e bën zoti i shtëpisë. Nderi, besa, fjala e dhënë dhe e mbajtur, burrëria janë atributet që duhet ky zot shtëpie ti ketë. E kur nuk i ka as shtëpi e derë nuk quhet e jo më e madhe…”, tha Ziadin Sela, Kryetar i Aleancës për Shqiptarët.
Kryesia e ASH-së së Taravarit ditë më parë vendosi të shkojë në zgjedhjet lokale me lista të ndara të kandidatëve për këshilltarë komunal kurse për krerët e komunave tha se do të kërkojë mbështetje. /Alsat.mk