Nga Patrick Mayer, Frankfurter Rundschau
Nëse merr tragetin nga ishujt e bukur të Adriatikut, Korcula, Vis apo Hvar- i njohur edhe si Ibiza e Kroacisë- për të mbërritur në kontinent, duhet të kalosh një ngushticë që ndan ishullin po aq piktoresk mesdhetar të Braçit. Më pas të shaqet qyteti port i njohur i Splitit.
Aeroplanmbajtësja më moderne në Shtetet e Bashkuara kaloi pikërisht në këtë pjesë të Adriatikut më 26 qershor, përpara se të mbërrinte në portin e qytetit të dytë më të madh në Kroaci. “Mirëmëngjes Kroaci,” shkroi ekuipazhi në llogarinë zyrtare në Twitter pas mbërritjes së bujshme në Dalmaci.
Në një tjetër postim thuhet: “Forcimi i partneritetit me aleatët tanë të NATO-s në Kroaci. Aeroplanmbajtësja më e madhe në botë mbërrin në Split të Kroacisë për një vizitë të planifikuar në port”.
Kjo vizitë vjen në një kohë kur në Ballkanin Perëndimor po ndizen pika konflikti, ndërsa në Serbi, presidenti ultranacionalist Aleksandër Vuçiç po vihet nën presionin e demonstratave masive me dhjetëra mijëra njerëz. Një rastësi?
Zjarri në Ballkan. Një vështrim mbrapa: Në fund të majit, më shumë se 30 ushtarë italianë dhe hungarezë nga misioni paqeruajtës i NATO-s, KFOR, u plagosën në trazirat e militantëve serbë në Kosovë, disa prej tyre u lënduan rëndë, kur demonstruesit donin të sulmonin administratën e qytetit në Zveçan. Aleanca e mbrojtjes transatlantike dërgoi më pas 700 trupa të tjera në rajon, përveç 3800 trupave të stacionuara tashmë.
Kosovë: Përplasje mes KFOR-it të udhëhequr nga NATO dhe militantëve serbë
Me rreth 1.8 milionë banorë, Kosova ndodhet në mes të Ballkanit Perëndimor, në kufi me Malin e Zi, Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Mbi të gjitha, vendi i vogël ka një kufi prej rreth 350 kilometrash me Serbinë, të cilës dikur i përkiste si një nënrajon, përpara se Kosova, e banuar kryesisht nga shqiptarët, të shpallte pavarësinë e saj në vitin 2008. Gjë që qeveria serbe në Beograd nuk e ka pranuar deri më sot.
Sipas vlerësimeve të Bankës Botërore, popullsia në Kosovë përbëhet nga 88 përqind shqiptarë, 7 përqind serbë dhe 5 përqind grupe të tjera etnike. Që në dhjetor, militantët serbë kishin bllokuar rrugët përreth Mitrovicës me kamionë të rëndë. Thuhet se ka pasur të shtëna. Mitrovica, me rreth 60 mijë banorët e saj, konsiderohet të jetë veçanërisht shpërthyese për shkak se qyteti është i ndarë në lagje jugore shqiptare dhe veriore serbe.
Presidenti serb, Aleksandër Vuçiç: Lidhje e ngushtë e sundimtarit të Moskës, Vladimir Putin
Në atë kohë, Vuçiç sugjeroi dërgimin e 1 mijë ushtarëve serbë, gjoja për de-përshkallëzim. Megjithatë, KFOR-i shumëkombësh e refuzoi kërkesën. Vuçiç më pas akuzoi komandën e KFOR-it në transmetuesin privat pro-qeveritar PINK TV, se po poshtëron serbët me përgjigjen negative. Që në gusht të vitit 2022, serbët e dyshuar militantë bllokuan dy pika kufitare me makineri të rënda. Siç e ka shpjeguar qeveria në Prishtinë, persona të panjohur kanë qëlluar edhe ndaj policëve kosovarë. Misionet e KFOR-it përfshijnë edhe 70 ushtarë nga Bundesveri gjerman, të cilët janë stacionuar në Prishtinë.
Serbia, e cila mban lidhje të ngushta me Rusinë, pavarësisht luftës në Ukrainë, ka një mosbesim historik ndaj NATO-s. Në Luftën e Kosovës për pavarësinë e ish-krahinës serbe, ndërmjet të ashtuquajturës Ushtria Çlirimtare e Kosovës dhe ushtrisë serbe, NATO realizoi mijëra fluturime së bashku me UÇK-në në kuadër të operacionit Aleat. Sulmet ajrore shënjestruan objektiva ushtarake, por edhe civile, duke vrarë jo vetëm ushtarë, por edhe shumë civilë serbë.
Protestat masive në Serbi- aeroplanmbajtësja amerikane mbërrin në Kroaci
Në dallim nga Kroacia fqinje me rreth 4 milionë banorë, Serbia me rreth 6.8 milionë banorë ende nuk është as pjesë e NATO-s dhe as e Bashkimit Europian. Në qershor të këtij viti, Vuçiç po përballet me protestat më të mëdha masive në të gjithë vendit që prej demonstratave masive kundër kriminelit të luftës, Sllobodan Millosheviç në vjeshtën e vitit 2000. Opozita e akuzon 53-vjeçarin për një stil politik agresiv. Sipas kundërshtarëve të tij politikë, ai është përgjegjës për dy vrasjet masive në maj, që shkaktuan 18 viktima.
Ndërkohë që në të njëjtën kohë, deputetët e pakicës serbe në Bosnjen fqinje me rreth 3.3 milionë banorë, votuan për të mos njohur më vendimet e Gjykatës Kushtetuese dhe ambasada amerikane në Sarajevë e quajti këtë një budallallëk. Kjo ishte koha kur aeroplanmbajtësja amerikane hyri në Split.
Si një vizitë e zakonshme mes partnerëve apo si një shfaqje e forcës nga peshat e rënda të NATO-s në Ballkanin Perëndimor?