Një zjarr ka rënë paraditen e sotme, rreth orës 11:00, në vendgrumbullimin e mbetjeve në fshatin Moravë, në qytetin e Beratit.
Menjëherë pas marrjes së njoftimit, në vendngjarje mbërritën shërbimet zjarrfikëse, të cilat arritën të lokalizojnë dhe shuajnë me shpejtësi flakët, duke shmangur përhapjen e zjarrit në zona të tjera përreth.
Gjatë ndërhyrjes, zjarrfikësit kanë konstatuar në vendngjarje një person që po vijonte të vinte zjarr në pika të ndryshme të zonës. Ai është identifikuar si Ylli Metani dhe është kapur në flagrancë gjatë aktit të zjarrvënies.
Policia është njoftuar menjëherë dhe ka arrestuar zjarrvënësin, i cili është shoqëruar në ambientet e Komisariatit të Policisë Berat për veprime të mëtejshme hetimore.
Autoritetet po punojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes dhe përcaktimin e motiveve të zjarrvënies.