Kryeministri i vendit Hristijan Mickoski në një intervistë për TV Alsat, duke folur për ngjarjet e fundit me zjarret, theksoi se ka indicie se kush mund të jetë frymëzues për gjithë këtë, tashmë ka një grup më të madh të të dyshuarve dhe theksoi se institucionet shpejt u përballën me sfidën, situata është normalizuar dhe do të ketë përgjegjësi për të gjithë ata që nuk duan të kemi një shtet stabil.
“Ka indicie, kemi dyshime të bazuara se kush mund të jetë frymëzues për gjithçka që ndodhi, por mund të them se jam jashtëzakonisht i kënaqur që për një kohë shumë të shkurtër institucionet, me veprim të koordinuar, arritën ta tejkalojnë sfidën dhe sot mund të them se gjendja në Drislla, Vardarishtë dhe në Trubarevë është normalizuar dhe nuk ka as tym”, theksoi kryeministri Mickoski.
Kryeministri Mickoski gjatë intervistës nënvizoi se gjithçka që thotë bazohet në informacionet me të cilat disponon, por ajo që është më e rëndësishme është se gjendja është nën kontroll, qytetarët të jenë të qetë.
“Veçse kemi një grup prej rreth njëzet personash që janë nën vëzhgim, për të cilët ka dyshime të bazuara se janë sjellë në mënyrë devijuse gjatë kësaj periudhe por e lë që organet e ndjekjes ta përfundojnë punën e tyre. Shumë lehtë mund të kuptoni se cilat janë ato qendra pushteti, janë ata që nuk duan që Maqedonia të jetë një vend i suksesshëm, që nuk duan të kemi një Maqedoni stabile që do të përparojë, do të korrë suksese, do të rritet, do të sundojë ligji, pa korrupsion e krim; ata duan ta shohin atë Maqedoninë e poshtëruar në të kaluarën, të grabitur, të turpëruar, me politikanë me shtylla kurrizore të përkulura. Shumë lehtë qytetarët do të arrijnë deri te përgjigjja”, deklaroi kryeministri Mickoski.
Kryeministri Mickoski theksoi se që nga fillimi i sezonit të zjarreve deri më sot ka më shumë se 30 persona të arrestuar, për të cilët ka dyshime të bazuara, por edhe prova se kanë marrë pjesë në ndezjen e zjarreve.
“Do të kujtoni ngjarjen në qershor kur papritmas në rrethinën e Shkupit, në disa lokacione, ndodhën disa zjarre, disa persona u arrestuan, për disa prej tyre kishte dyshime të bazuara se kishin marrë pjesë në ndezje, gjatë verës gjithashtu dhe tani në Vardarishte pati aksion, MPB-ja arrestoi disa persona dhe u caktua masë paraburgimi, po ashtu edhe në Trubarevë dhe në Drislla. Të gjitha këto zjarre që shkaktohen, ndoshta ka edhe që nuk janë nga faktori njeri, por pjesa më e madhe e tyre janë shkaktuar nga faktori njeri”, shtoi kryeministri Mickoski.



