Zjarri në BDI është ndezur për kryetarin e ri të partisë, fituesin në fund e cakton “Grupi i Prushit”

Shkruan: Emad Mehmeti

Beteja e Zjarrit e cila merr flak e hov kohë pas kohe, që më pas te shuhet e ringjallet sërish, është shndërruar në një cirkuziadë kohëve të fundit. Por, kur shumëkush nga publiku i sheh me zbavitje lëvizjet brenda për brenda BDI-së, funksionarët e saj i kanë kapluar ethet e asaj se kush cilit do t’ia tregojë vendin. Edhe që vijnë nga frika se duke kërkuar shumë, mund të digjen e të bëhen shkrumb.

Edhe pse në shikim të parë këto zënka askush nuk i mori seriozisht, doli se kësaj radhe gjërat brenda kalasë së Reçicës ishin paksa më serioze. Po vërehet se kalaja e Reçicës së Vogël ka rënë në hall të madh, sikur selia e OKB-së me luftën në Ukrainë. I vetmi dallim është se gjitha grupet kundërshtare përdorin metoda ruso-putiniste kundër njëri tjetrit, e asnjë metodë perëndimore, siç përdorin Amerika, Britania e Franca në Këshillin e Sigurimit kundër Rusisë.

Sigurisht, doza mosbesuese ndaj veprimeve qoftë të Grupit të Zjarrit e qoftë të liderit të tyre të pakontestueshëm, Ali Ahmeti, ka qenë e vijon të jetë e pranishme te gjithësecili. Sepse, lojëra të tilla në BDI kanë bërë gjithmonë. Mirëpo, edhe truqet një ditë harxhohen. Ngase, nuk mund t’ua bësh atyre që përgjatë viteve i ke realizuar bashkë këto ekzibicione politike për t’i qetësuar gjakrat në BDI. Rrjedhimisht i ashtuquajturi “grupi i zjarrit” i dinte veprimet e Ahmetit, me çka këtë radhë u bë beteja paksa më e ashpër në krahasim me kafshatat më të lehta politike që duhej menjanuar nga funksionet partiake vite më parë në këtë parti.

Në këtë mandat qeverisës “grupi i zjarrit” mbeti pa pozicione të fuqishme e pa ministri të begata që do sillnin kënaqësinë e mëparshme në qeverisje me VMRO-DPMNE-në. Kënaqësi këto që kanë të bëjnë kryesisht në të mira monetare. Ndonëse mbetën jashtë kulaçit, ishte e pritur që “rezervat” do harxhohen e do vinte një ditë kur do duhej të kallnin zarmin e revoltës. Asnjëherë për të mirën e aktivistëve të sinqetë të BDI-së, por për xhepat e tyre. Nëse do e kishin për këtë ata do të sistemonin njerëz të rinj në pozicione, e nuk do kërkonin të jenë vetë ata. Funksionarët e përjetshëm kërkojnë sërish hisen. Deri ku do arrin mbetet të shihen, ani pse objektivat për reformime i filluan, ama reformimi siç duket do të përfundojë me marrjen e pozicioneve nga grupi i tyre.

Vlerësoj se zjarri në BDI nuk është ndezur vetëm shkaku i pozicioneve brenda partiake, kurse për atë që flitet në koluare të ndryshme se Artan Grubi do të bëhet kryeministri i parë shqiptar në 3 mujorin e fundit të këtij mandati qeverisës. Edhe këtë mbase “grupi i zjarrit” do ta përbinte, por assesi nuk mund ta pranojnë realitetin që Ali Ahmeti tashmë ka caktuar zëvendësin e tij. Pra shkurt dhe shqip problemet në BDI janë për atë se: kush do ta trashëgojë fronin e kryetarit në këtë parti pas pensionimit të Ahmetit? Kjo është çështja që po ndez e shuan zjarrin brenda këtij subjekti politik, i cili siç duket qartazi pa Ahmetin do ta ketë të vështirë unitetin.

Kurse fituesin në fund me shumë gjasë nuk do ta përcaktojë as “Grupi i Zjarrit” e as “Grupi i Shkrumbit”, por “Grupi i Prushit”, respektivisht “gacat e mbuluara” që mbajnë herë njërën, e herë anën tjetër, varësisht se si i kanë vlerësimet cili “grup” është më i fortë.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme