Nga Kim Mehmeti
Thonë se flaka e luftës do mund ta përfshijë tërë Lindje e Mesme, e mbase edhe tërë botën.
Këtë e thonë ata që shtiren se nuk e shohin se zjarri i luftës prej moti e ka përfshi këtë pjesë të botës dhe se dihet kryezjarrëvënësi – Izraeli.
Dhe përderisa vazhdojnë sulmet e ndërsjella izraelo-iraniane, burrështetasit izraelit pohojnë se me sulmet kundër Iranit janë duke e mbrojtur tërë njerëzimin!?
Mbase edhe tani do e mbrojnë botën ashtu si në Gazë ku vranë e lanë pa gjymtyrë me dhjetëra mijë nëna e fëmijë palestinezë edhe atë në masë të madhe të mbështetur nga
Perëndimi që shtirej se as i shihte e as i dëgjonte piskamat e palestinezëve.
Kur jemi te Perëndimi duhet thënë se Evropa as që guxon t’ia ngre zërin Izraelit dhe se ajo më së miri e ndihmon botën kur heshtë sepse ndërgjegjja e saj është e kapur peng nga holokausti i Luftës së Dytë Botërore!
Po pra, thonë se bota do mund të digjet nga zjarri i një lufte të re globale dhe të gjithë shtiren se nuk e dinë që zjarrin e kësaj lufte mund ta fikë vetëm ai që e ndezi atë dhe që beson se nuk i përgjigjet askujt për kalljen e tij.
Sidoqoftë duhet rikujtuar se siç duket lufta është sëmundje njerëzore kundër së cilës nuk është gjetur ilaç. Siç duhet rikujtuar se sado që shtohet numri i pacifistëve, zjarri i luftërave gjithmonë është rindezur dhe kurrë nuk është shuar!
Andaj popujt paqedashës nuk sillen si ne shqiptarët, por ndërtojnë paqe duke u bërë gati për luftë! (Kim Mehmeti)/sakte,net