Ky lajm nuk u prit mirë nga ambasada e SHBA-së në Kosovë, ku nëpërmjet një përgjigje për lajmi.net, tha se Ushtria e Kosovës duhet të bëhet vetëm me ndryshime kushtetuese.
“Ne kemi nxitur qeverinë që të punojë metodikisht për tranzicionin e FSK-së dhe që të vazhdojë me fushatën e saj brenda Kosovës si dhe me partnerët ndërkombëtarë, për të siguruar përkrahje maksimale për këtë tranzicion. SHBA-të vazhdojnë të përkrahin tranzicionin e FSK-së përmes një ndryshimi kushtetues”, thuhet në përgjigjen e ambasadës për lajmi.net.
Megjithëkëtë, tani nga qeveria thotë se janë të vetëdijshëm se krijimi i Ushtrisë së Kosovës do të bëhet me anë të ndryshimeve kushtetuese, e jo me ligj. Kështu është përgjigjur për lajmi.net, shefi i stafit të kryeministrit, Avni Arifi.
“Qeveria e Kosovës është e vetëdijshme që finalizimi i procesit të transformimit nga Forca e Sigurisë së Kosovës të Forca e Armatosur e Kosovës bëhet vetëm me ndryshime kushtetuese”, ka thënë shkurt Arifi.
Përgjigja e Arifi lë të kuptohet se Qeveria është zmbrapsur nga ajo që kishte thënë Haradinaj.
Ndryshe, kryeministri në një emision televizivë të martën tha se e ka kthyer prapa projektligjin për ushtrinë, pas mbërritjes në tavolinën e tij.
“E kam kthyer ligjin. Ka qenë në Qeveri. E kam kthyer prapa, se ka paraparë ndryshime kushtetuese”, ka treguar Haradinaj.
Arsyetimi i kryeministrit që Ushtria të bëhet me anë të ligjit ishte mungesa e dy të tretave të votave në Kuvend të Kosovës që do pamundësonte ndryshimet kushtetuese, andaj ka kërkuar që projektligji të ndryshohet, në mënyrë që ushtria e Kosovës të bëhet vetëm nëpërmjet ligjit.