Zvicra në kërkim të ministrit të Jashtëm, paga astronomike

445 mijë e 163 franga. Ose gati gjysmë milioni franga. Ose 389 mijë euro. Kaq është rroga vjetore e ministrit të Jashtëm të Zvicrës.

Në aeroportin Belpmoos afër Bernës, kryeqytetit të vendit, përherë është gati një avion (Dessault Falcon 900 EX) për ta transportuar ministrin nëpër botë. Pas dorëheqjes së ministrit të Jashtëm Didier Burkhalter Zvicra po kërkon një shef të diplomacisë. Burkhalter ka dhënë dorëheqje në qershor, më 31 tetor do të braktisë zyrën.

Më 20 shtator parlamenti federal do të zgjedhë një ministër të ri. Posti i takon partisë liberale FDP, e cila ka propozuar tre kandidatë: Ignazio Cassis nga kantoni italishtfolës i Tiçinos, Isabelle Moret dhe Pierre Maudet nga Zvicra franceze.

Pas zgjedhjes së ministrit të ri do të mblidhet qeveria dhe anëtarët e saj do të vendosin për ndarjen e departamenteve. Pra, tek atëherë do të dihet se kush do të jetë ministër i Jashtëm. Tani për tani në mediat zvicerane si favorit për postin e ministrit konsiderohet Ignazio Cassis. Në komente theksohet se kantoni i Tiçinos nuk është i pranishëm në qeveri qe 18 vite.

Për baraspeshën e vendit ky nuk është zhvillim i mirë. Nga parlamentarët kërkohet që të respektojnë faktin se Zvicra është vend shumetnik dhe shumëgjuhësor, andaj në qeverinë e saj duhet të jenë të përfaqësuar mundësisht sa më shumë treva gjuhësore. Poste të ministrave për të shpërndarë nuk ka shumë: me 7 ministri Zvicra ka qeverinë më të vogël në Europë.

Ministria e Jashtme e Zvicrës ka 5984 punëtorë të shpërndarë në më shumë se 100 vende – për shembull në Prishtinë, në Shkup, në Tiranë. Kushtetuta e Zvicrës, neni 54, thekson se detyrë e ministrit të Jashtëm është të ruajë pavarësinë e vendit dhe të sigurojë mirëqenien; të përkrahë të drejtat e njeriut dhe demokracinë; të kontribuojë për paqen; të ruajë bazat e natyrshme të jetës sonë.

Michael Ambühl është profesor në Shkollën e Lartë Teknike në Zürich (ETH). Më parë ai ka punuar 31 vite si diplomat në ministrinë e Jashtme. Ambühl, i cili gjatë karrierës së tij ka negociuar me partnerë të vështirë si turqit, iranianët dhe amerikanët, i tha gazetës “Tages Anzeiger” se për të mbrojtur interesat e Zvicrës në politikën e jashtme ministri i Jashtë duhet të angazhohet pandërprerë. “Të mëdhenjtë nuk u dhurojnë asgjë të vegjëlve. Asgjë!”

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme