Zyra e Auditorit: Zyra e Kryeministrit ka ndarë jashtë procedurave 815 mijë euro për “Let’s do it Kosova”

Mijëra vullnetarë e shumë institucione ishin angazhuar në faza të ndryshme për pastrimin e mbeturinave nëpër të gjithë Kosovën, në kuadër të projektit “Ta pastrojmë Kosovën”, raporton KTV.

Por, organizata joqeveritare, në krye të projektit, mori nga qeveria 815 mijë euro për këtë punë.

6 muaj pas përfundimit, Zyra e Auditorit ka gjetur disa shkelje në financimin e këtij projekti.

Asnjëherë nuk është nënshkruar kontratë ndërmjet Zyrës dhe OJQ-së përfituese, që do të përcaktonte përgjegjësitë dhe detyrimet e palëve.

Edhe pse nga plani i aktiviteteve, Ministria e Mjedisit duhej të merrej me alokimin e mjeteve, të gjitha pagesat janë kryer nga Zyra e Kryeministrit.

Deri në fund të vitit 2018, janë kryer pagesa në vlerë të 806.838 eurosh.

Pagesat ishin kryer vetëm në bazë ta faturave të dorëzuara nga OJQ-ja përfituese. Përveç faturave, Zyra e Kryeministrit nuk ka raporte financiare dhe narrative të dorëzuara nga ana e përfituesit për arsyetimin dhe përshkrimin e saktë të artikujve të faturuar dhe aktiviteteve të kryera në kuadër të projektit.

Në fund të aktivitetit, Ministria e Mjedisit ka dorëzuar raport përmbledhës, por jo raport financiar apo raport përshkrues për shpërndarjen e disa artikujve, siç janë kontejnerët apo shportat.

Po ashtu, në atë raport thuhet se koordinatori i Task-forcës nuk kishte raportuar në qeveri për zbatimin e Planit operativ një herë në muaj, siç e përcakton vendimi i qeverisë.

Prandaj, Auditori konstaton se nuk mund ta konfirmojë rregullsinë e shpenzimit të këtyre fondeve.

Por, Luan Hasanaj nga “Let’s do it Kosova”, thotë se këto gjetje nuk kanë të bëjnë me projektin që kanë zhvilluar, por me procedurat e qeverisë.

Ai ka thënë se edhe të gjitha faturat dhe shpenzimet që i kanë bërë janë të publikuara në ueb-faqen e tyre.

Por, aty ka vetëm një raport 1 faqesh që jep shifra të përgjithshme, me mbishkrime si “ushqim dhe pije” .

Hasanaj ka thënë se fushata që po i bëhet, për keqpërdorim të parasë publike, vjen nga OJQ-të të cilat i ka konkurrente, pa përmendur emra.

E, kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë se ishte ai që ka kërkuar këtë auditim, duke mos treguar nëse ka pasur monitorues për të parë se a janë shpenzuar në mënyrë të rregullt paratë.

Përndryshe, Hasanaj shihet në afërsi të madhe me njërin nga njerëzit më të besueshëm të kryeministrit Haradinaj, Gani Demaj, që shërbeu si shef i kabinetit në qeveri.

Hasanaj i ka thënë KTV-së se Demajn e ka shok fëmijërie.

Aksioni i madh “Ta pastrojmë Kosovën” kishte filluar nga data 15 shtator, duke vazhduar deri më 15 dhjetor të vitit 2018.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme