Zyrtare nga Policia: I arrestuari në Komisariatin e Kavajës është vetëvrarë. Tre efektivë në pranga!

Një ngjarje e rëndë tronditi ditën e djeshme në qytetin e Kavajës, ku 31-vjeçari, Ilvi Meta ka vrarë veten brenda komisariatit të policisë së qytetit. I riu ishte ndaluar nga policia ditën e djeshme në orën 14:00 si i dyshuar për vjedhje, ndërsa vetëvrasja mësohet se ka ndodhur rreth orës 19:08, kur Meta ka kryer aktin ekstrem.

 

“Më datë 04.05.2022, në Komisariatin e Policisë Kavajë, është gjetur nga shërbimet e Policisë i vetëvarur në dhomat e izolimit dhe si pasojë ka ndërruar jetë, shtetasi i ndaluar I. M., 31 vjeç, i cili është ndaluar ditën e sotme rreth orës 15:50 pasi Gjykata kishte vendosur ndaj tij  masën e sigurisë “Arrest në burg”, për vjedhje. Është ngritur një grup i posaçëm hetimor nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Kavajë i cili ndodhet në vendngjarje dhe po punon për sqarimin e rrethanave të ngjarjes.”, thuhej në njoftimin e djeshëm të Policisë së Kavajës, pak minuta pas aktit ekstrem të të riut.

Reagon Agjencia e Mbikëqyrjes Policore, jep versionin zyrtar të ngjarjes:

Agjencia e Mbikëqyrjes Policore ka reaguar në lidhje me ngjarjen e rëndë të ditës së djeshme në ambientet e Komisariatit të Policisë së Kavajës, kur një 31-vjeçar u gjet i vetëvarur. Në reagimin e Agjencisë konfirmohet se i arrestuari ka mbytur veten duke përdorur lidhësen e kapuçit të bluzës që kishte veshur, ndërsa në trupin e tij nuk janë konstatuar shenja dhune, pas ekspertizës së kryer.

Ndërkohë, bëhet po ashtu me dije se, tre punonjës të Policisë së Kavajës janë arrestuar pas ngjarjes së rëndë. Bëhet fjalë për Bexhet Berberin, inspektor, polic roje; Rushit Kolën, inspektor, polic roje dhe Petrit Brahimajn, nënkomisar, të cilët akuzohen për shpërdorim detyre.

Njoftimi zyrtar nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore:

Kavajë – Në vijim të komunikimit për ngjarjen e ndodhur me datën 04.05.2022 në Komisariatin e Policisë Kavajë, ku është gjetur i vdekur shtetasi I.M., Drejtoria Rajonale e AMP Durrës-Kavajë ka përfunduar hetimet paraprake nga ku ka rezultuar si vijon:

Më datë 04.05.2022, rreth orës 19:00, në dhomat e sigurisë/ndalimit/arrestimit, në Komisariatin e Policisë Kavajë, shtetasi i arrestuar I.M., 31 vjeç, ka kryer vetëvrasje duke përdorur lidhësen e kapuçit të bluzës që mbante veshur, duke gjetur më pas dhe vdekjen. Nga ana e ekspertëve mjeko-ligjorë është bërë këqyrja e viktimës nga ku ka rezultuar se në trupin e tij nuk janë konstatuar shenja dhune.

Nga hetimet paraprake ka rezultuar se punonjësit që kanë pasur për detyrë mbikëqyrjen dhe mbajtjen në kontroll të shtetasit I. M. gjatë kohës që ai ka qenë i shoqëruar/ndaluar në ambientet e Komisariatit të Policisë Kavajë, nuk kanë përmbushur detyrimet që rrjedhin nga Ligji 108/2014 “Për Policinë e Shtetit” dhe Procedura Standarde “Trajtimi dhe sigurimi i personave të arrestuar/ndaluar në ambientet e Policisë së Shtetit, evidentimi dhe zgjidhja e kërkesë/ankesave të tyre” miratuar me Urdhër nr.925, datë 19.07.2019 të DPPSH.

Pas marrjes dhe vlerësimit të provave në kuadër të këtij hetimi dyshohet se këta punonjës me veprimet dhe mosveprimet e tyre kanë shpërdoruar detyrën, duke mos marre masa për parandalimin e ngjarjes. Në përfundim të hetimeve paraprake, Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (Drejtoria Rajonale e AMP-së Durrës-Kavajë) ka arrestuar në flagrancë 3 punonjës policie, të dyshuar për kryerjen e veprës penale “Shpërdorim i detyrës”, parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal e konkretisht:

  1. Nënkomisar P. B., me detyrë Specialist i sallës së komandimit, në Komisariatin e Policisë Kavajë;
  2. Inspektor B. B., me detyrë trupë shërbimi, patrullë e përgjithshme në Komisariatin e Policisë Kavajë;
  3. Inspektor R. K., me detyrë trupë shërbimi në dhomat e sigurisë pranë Komisariatit të Policisë Kavajë.

Materialet procedurale i kanë kaluar Prokurorisë së Kavajës për hetime të mëtejshme. Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (AMP) mbetet e përkushtuar në misionin e saj për garantimin e zbatimit të ligjit dhe fton qytetarët të denoncojnë çdo rast të abuzimit apo shkeljes së ligjit nga ana e punonjësve të Policisë së Shtetit, duke telefonuar në numrin pa pagesë 0800 90 90.

Ilvi Meta një emër i njohur për policinë:

Ilvi Meta, 31 vjeçari që u gjet i vdekur mbrëmjen e djeshme brenda komisariatit të Kavajës, ishte një emër jo pak i njohur për policinë. I riu, u arrestua mesditën e së mërkurës për vjedhje, ndërsa për të njëjtën vepër penale ai ishte shoqëruar 18 herë që nga viti 2014.

Ndërkohë babai i 31-vjeçarit pretendon se djali i tij nuk është vetëvrarë, por i ka “mbetur në dorë policisë”. Sipas tij Ilvi nuk kishte shenja në qafë dhe as të nxira, ndërsa shtoi se nuk ishte një djalë problematik për policinë.

Ndërkohë, mësohet se viktima ishte dënuar 3 herë për vjedhje. Më konkretisht Meta, ishte dënuar në 13 mars të 2011 nga Gjykata e Kavajës me 8 muaj burg për vjedhje. Po për të njëjtën akuzë, në vitin 2012 ai u dënua me 16 muaj burg, ndërsa në datën 07 gusht të 2010, gjykata e Durrësit e ka dënuar me 4 muaj burg po për vjedhje.

I riu Meta u vu në pranga, pasi akuzohej për një vjedhje të ndodhur në 2 prill në një banesë në Kavajë për një makinë qepëse dhe prerëse pllakash. Denoncimi ishte bërë nga pronari i banesës që jetonte jashtë vendit, pasi kishte mësuar që i ishte vjedhur banesa.

E dyta ngjarje e rëndë brenda pak muajve në komisariatet e policisë:

Kujtojmë se, kjo është ngjarja e rëndë e dytë që ka ndodhur brenda një harku kohor shumë të shkurtër. Vetëm pak javë më parë, në 28 mars të këtij viti, një 26-vjeçar i vuri flakën qelisë në Komisariatin e Kamzës, ku për pasojë humbi jetën, teksa 2 të tjerë mes tyre dhe një polic u asfiksuan.

Hetimet zbuluan se 2 punonjësit e policisë Hajredin Boja dhe Fatmir Isufi nuk respektuan procedurat për të ndaluarit në Komisariatin e Kamzës duke i lejuar të ndaluarit që të mbante në qeli një çakmak me vete, që shkaktoi një ngjarje me pasoja të rënda./GSH

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme