Zyrtarë të NATO-s: Rusia po tenton ta destabilizojë Ballkanin Perëndimor

Administrata Trump ka vendosur të përkrahë kërkesën e Malit të Zi për t’iu bashkuar NATO-s, thonë zyrtarë të lartë amerikanë, vendim ky që mund të forcojë aleancën perëndimore por edhe ta armiqësojë Rusinë

Kjo lëvizje e mundshme do të zhvillohet në një klimë politike dhe diplomatike që po evoluon me shpejtësi, në të cilën presidenti Donald Trump po mbështet marrëdhëniet e përmirësuara me Moskën, por duke ruajtur për tani kufizimet e SHBA-së të vendosura gjatë viteve të fundit kundër Kremlinit.

Qeveria ruse ka kundërshtuar ashpër anëtarësimin e Malit të Zi në NATO, duke mbajtur kundërshtimin e saj të vjetër për mos zgjerim të aleancës. Zyrtarët malazezë kanë akuzuar publikisht Kremlinin se po tenton të frenojë anëtarësimin e saj duke nxitur një tentim-puç kundër qeverisë në muajin tetor. Moska i ka mohuar akuzuat, transmeton Koha.net.

Përkrahja formale amerikane për anëtarësim të shtetit ballkanik mund të shfaq pikën e parë të nxehtë mes Washingtonit dhe Moskës që kur Trump ka marrë pushtetin, kanë thënë zyrtarë aktualë por edhe ish-zyrtarë amerikanë për WSJ. Në të njëjtën kohë, thonë ata, Kremlini mund të fillojë të besojë se Trumpi mund të shkojë vetëm deri në atë pikë sa të zbus politikat amerikane në raport me Rusinë dhe nuk do të priste që ai të ndërmerrte një veprim krejtësisht të ndryshëm nga administrata Obama më 2015.

Sido që të jetë, përkrahja e Trumpit ndaj Malit të Zi është parë si kritike për përkrahjen e NATO-s dhe kundërshtimin e agresionit rus në Evropë.

“Kundërshtarët e këtyre proceseve, si Rusia, tentojnë të jenë më aktivët në kohët kur vendimet pritet të merren”, ka thënë ambasadori lituanez në NATO, Vytautas Leskevicius. “Pasi të jetë ratifikuar protokolli pranues i Malit të Zi nga të gjitha 28 shtetet anëtare të NATO-s, mund të priten periudha më të qeta”.

Deri më tani, 23 nga 28 shtete anëtare të NATO-s kanë votuar formalisht për pranim të Malit të Zi. Kanadaja, Gjermania, Holanda, Spanja pritet të bëjnë një hap të tillë, ndërsa parlamenti grek ka kaluar një masë ratifikimi por ende nuk e ka njoftuar zyrtarisht aleancën.

Muajin e kaluar, Komiteti për Marrëdhënie me Jashtë i Senatit amerikan me unanimitet ka përkrahur kërkesën e Malit të Zi, por që ende pritet vota e plotë e Senatit.

Megjithatë, nuk pritet të ketë ndryshim edhe në Senat, pasi, siç thonë zyrtarë të administratës amerikane, “Shtëpia e Bardhë po shkon drejt dhënies së dritës së gjelbër”.

Zyrtarë të Kongresit shpresojnë që Shtëpia e Bardhë e Trumpit do të publikojë qëndrimin e saj ndaj Malit të Zi më së largu deri javën e ardhshme, kur Zëvendëspresidenti Mike Pence t’i adresohet Konferencës vjetore të Sigurisë në Munih, një mbledhje kjo e zyrtarëve të lartë, transmeton Koha.net.

Zyrtarë të NATO-s besojnë se shtetet e Ballkanit Perëndimor janë në një gjendje fragjile dhe kanë thënë se Rusia po tenton të destabilizojë rajonin. Rusia ka kohë që kundërshton zgjerimin e NATO-s, duke thënë se aleanca po e rrethon territorin e saj. Zyrtarët amerikanë kanë akuzuar Kremlinin për dërgim të forcave të saja në Ukrainë më 2014 dhe në Gjeorgji më 2008, pjesërisht, për të bllokuar rrugën e tyre drejt anëtarësimit në aleancë.

Qeveria e Malit të Zi ka thënë se Kremlini qëndron prapa disa tentimeve për të intervenuar në vend për më shumë se një vit përmes protestave, kërcënimeve dhe fushatave dezinformuese, por edhe përmes presionit politik nga partitë opozitare pro-ruse.

“Ka pasur njerëz që kanë dashur të ndihmojnë disa parti për të fituar rezultatet që i dëshironin”, ka thënë ambasadori malazez në SHBA, Nebojshan Kaluderoviq,në një intervistë për WSJ.

Edhe Qeveria e Kosovës e ka akuzuar Moskën se qëndron prapa një tentimi të dështuar të muajit të kaluar për të dërguar një tren në Kosovë me mbishkrimin “Kosova është Serbi” për të ushqyer nacionalizmin serb.

Javën e kaluar, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, tha se ai dhe aleanca janë të përqendruar në përmirësimin e sigurisë në Ballkanin Perëndimor dhe t’i ndihmojë ata t’i rezistojnë përpjekjeve ruse për të destabilizuar vendet e tyre.

“Kemi parë disa raporte për ndikimin dhe prezencën e shtuar ruse në Ballkanin Perëndimor, dhe kemi parë raporte si nga Mali i Zi, por edhe nga Serbia, për intervenimin rus në procesin politik në Mal të Zi para zgjedhjeve të vitit të kaluar”, ka thënë Stoltenberg javën e kaluar në Bosnje, transmeton Koha.net.

Diplomatë perëndimorë thonë se Kremlini, edhe me pranimin e Malit të Zi në NATO, mund të vazhdojë fare lehtë përzierjen në punët e brendshme të Ballkanit.

Pranimi i anëtarësimit të Malit të Zi është parë si një mënyrë për SHBA-të dhe aleatët tjerë që t’i tregojnë Rusisë se nuk mund të ushtrojë veto ndaj zgjerimit të aleancës, kanë thënë zyrtarë aktualë dhe ish-zyrtarë amerikanë.

“Mali i Zi është shtyrë drejtë anëtarësimit për shkak të Putinit”, ka thënë Jim Townsend, ish-zyrtar i Pentagonit në administratën Obama. “Është bërë për të thënë: Nuk do ta ndaloni zgjerimin, ne do të sjellim dikë brenda”.

Anëtarësimi i Malit të Zi do të garantonte që e tërë vija bregdetare e Mesdheut veriore do të jetë territor i aleancës, përfshi edhe një port kyç strategjik që dikur është përdorur nga rusët.

Diplomatë dhe ekspertë të sigurisë kanë thënë se një njoftim nga administrata Trump në mbështetje të anëtarësimit të Malit të Zi do të siguronte aleatët e NATO-s në kufi me Rusinë që frikësohen se administrata Trump do të nxis aleancën që të jetë më e përshtatshme për Rusinë.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme