Komuna e Prishtinës dje bëri me dije se do t’u merren banesat të gjithë ish-drejtorëve të Komunës së Prishtinës, e që tash janë asambleistë. Mirëpo, sipas LDK’së, kjo gjë nuk mund të bëhet nga kryetari i Komunës.
Siç ka thënë Agim Gashi, për banesat nuk mund të vendos kryetari Ahmeti, madje as edhe kryeministri, pasi sipas tij, kjo është kompetencë ekskluvize e Kuvendit Komunal, raporton gazetametro.net.
“Banesat janë në pronësi të Kuvendit Komunal, dhe vetëm Kuvendi Komunal vendos për t’u vazhduar shfrytëzimi apo t’u merren, dhe asesi kryetari i Komunës. Për to nuk vendos as kryetari i Komunës, madje as kryeministri”, ka thënë Gashi.
I pyetur se çfarë mund të vendos Kuvendi Komunal për marrjen e banesave të ish-drejtorëve të Komunës së Prishtinës, Gashi nuk ka pranuar të përgjigjet.
“Nuk mund të paragjykojmë vendimin e Kuvendit Komunal”, ka thënë ai.
Ndërkaq, Gashi ka kritikuar udhëheqjen e VV’së në Prishtinë, duke thënë se si pasojë e keqmenaxhimit të Arsimit janë humbur shumë orë, e madje sipas tij, po ka diskriminime edhe në konkurse.