Sipas raportit të Auditorit të publikuar për Agjencinë Shtetërore për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, Drejtori i Përgjithshëm, Bujar Sadiku, ka aprovuar pushimin në periudhë prej një viti për një zyrtar pa pagesë, me arsyetimin për shkollim jashtë vendit.
Auditori thekson të drejtën për të dhënë një pushim të tillë për zyrtarë, por që në këtë rast auditori ka gjetur se zyrtari nuk ka ofruar asnjë dëshmi për shkollimin e tij jashtë vendit, raporton Insajderi
“Gjatë trajtimit të kësaj lënde ne nuk kemi vërejtur dëshmi relevante se kandidati ishte i pranuar apo regjistruar në ndonjë universitet siç e ka theksuar në kërkesë. Përkundër kësaj pushimi i ishte lejuar nga drejtori”, thuhet në Raportin e Auditorit.
Sipas Auditorit, aprovimi i pushimit në mungesë të dëshmive, rritë rrezikun që zyrtari do ta përdorë pushimin pa pagesë për qëllime tjera në raport me qëllimin për të cilin i është aprovuar pushimi.