​Deputetët akuzojnë Qeverinë si shkelësi kryesor i të drejtave të njeriut

Në debatin parlamentar në lidhje me mos zbatimin e rekomandimeve të Avokatit të Popullit nga ana e Qeverisë së Kosovës, u vlerësua se ekzekutivi i vendit mbetet shkelësi kryesor i të drejtave të njeriut në vend.

 

Inicuesja e këtij debati, deputetja e AAK-së Teuta Haxhiu ka thënë se për këtë debat kanë pritur 5 muaj dhe se ka të bëjë me rekomandimet e Avokatit të Popullit të bëra në raportin për vitin 2015, derisa tani në Kuvend ka ardhur edhe raporti i këtij institucioni për vitin 2016. Ajo theksoi se për vitin 2015, nga 57 rekomandime, 37 nuk janë zbatuar dhe 7 janë të pritje të zbatimit.

Bashkëpartiaku i saj, deputeti Ali Berisha akuzoi Qeverinë për shkeljen e të drejtave të njeriut, në vend se të ishte mbrojtës i tyre.

Edhe deputetja e Nisma për Kosovën, Shukrie Bytyçi, bëri përgjegjës Qeverinë dhe dikasteret qeveritare si institucionet kryesore e shkeljes së të drejtave të njeriut.

Pas këtyre vlerësimeve reagoi kryeministri i Kosovës Isa Mustafa, i cili kërkoi nga deputetët që ta argumentojnë me fakte kur theksojnë se qeveria është shkelësi kryesor i të drejtave të njeriut. Ai tha se nuk duhet që për inate politike të dërgojnë te komuniteti ndërkombëtar sinjale, se qeveria është shkelësi kryesor i të drejtave të njeriut.

Pas kësaj kreu i qeverisë nuk qëndroi më në seancë, derisa deputetët përsëri patën kritika dhe akuza se qeveria po shkel të drejtat e njeriut. Deputeti i PDK-së, Fatmir Shurdhaj kritikoi qeverinë dhe kryeministrin për mos shtruarjes së çështjes së fondit pensional në bisedimet me Serbinë në Bruksel.

Ndërsa, deputeti i Vetëvendosjes Faton Topalli tha se po ia rikujton kryeministrit me fakte se përse është shkelësi më i madh i të drejtave të njeriut.

Deputeti i AAK-së, Daut Haradinaj ia kujtoi shefit të Qeverisë punësimet që bëhen nëpër institucione, duke thënë se asnjë nuk mund të bëhet pa dijeni të shefit, qoftë atij si kryeministër, apo qoftë edhe ministrave.

Deputetja e LDK-së Vjosa Osmani pati kritika edhe për vetë Kuvendin, duke thënë se rekomandimet e Avokatit të Popullit ndërlidhen edhe me punën e tyre si Kuvend.

Në fund të debatit janë paraqitur edhe shtatë rekomandime të harmonizuara mes grupeve parlamentare. Rekomandimet e propozuara për miratim janë:

Të implementohen rekomandimet e Avokatit të Popullit të vitit 2015, Qeveria e Kosovës të krijoj kushtet të nevojshme në kuptimin financiar që rekomandimet e Avokatit të Popullit të Implementohen, Komisioni Parlamentare obligohen që të përfshijnë çështjet që dalin nga raportet vjetore të Avokatit në planet e punës së tyre, kryeministri i Kosovës si kryesues i grupit ndërministror për të drejtat e njeriut të raportojë në Kuvend të paktën një herë në vit për të drejtat e njeriut, komisionet parlamentare t’i ftojnë në debat udhëheqësit e institucioneve në komisionit përkatëse në Kuvend, për të kuptuar arsyet e mos zbatimit të rekomandimeve të Avokatit të Popullit, Kuvendi i Kosovës gjatë plotësim- ndryshimit të rregullores së punës, të parasheh vetëm diskutimin e raportit vjetor të Avokatit të Popullit, e të mos hidhet në votim, të zbatohet rezoluta e Kuvendit të Kosovës lidhur me kontributet pensionale të qytetarëve të Kosovës të mbajtura ilegalisht nga Serbia.

Rekomandimet mbeten për t’u votuar në seancën e radhës, për shkak të mungesës së kuorumit.