Gazetare: Ajnur Bafqari
Keqpërdorimet me pushimet mjekësore, mjekimet jashtë vendit, mungesa e digjitalizimit, mungesa e komunikimit të sistemeve IT mes sektorëve dhe keqpërdorimet me mjetet ndihmëse ortopedike, janë vetëm disa nga problemet me të cilat po përballet Fondi i Sigurimit Shëndetësor, e që do të jenë në krye të listës së prioriteteve, të drejtuesit të ri Zllatko Perinski.
Gjatë një komunikimi joformal me gazetarët, Perinski tha se do të ndërrohet sistemi i kontrollit të pushimeve mjekësore ku planifikohet kontroll më i ashpër me qëllim parandalimin e keqpërdorimit të këtij mekanizmi, që fondit po i kushton 10 për qind të buxhetit. Sipas tij, nuk përjashtohet mundësia as edhe e ndryshimit të afateve për pushime mjekësore. Perinski nënvizoi se mekanizmi për realizimin e të drejtës për pushim mjekësor, është keqpërdorur aq shumë, sa në listë ka edhe persona që shkojnë nëpër pushime mjekësore për më shumë se 5 vjet.
Me të njëjtin problem ballafaqohen edhe në sektorin e mjekimeve jashtë vendit, ku po ashtu planifikohet vendosja e një sistemi të ri të kontrollit. Perinski njoftoi se një ditë më parë është formuar një ekip prej 5 personash, përfaqësues të institucioneve relevante, që do të merren me gjetjen e zgjidhjes më të përshtatshme për tejkalimin e këtij problemi. Vetëm për mjekime jashtë vendit, bazuar në shifrat e dy tre viteve të fundit, fondit i kushtojnë rreth 500 milionë denarë në vit.
Fondi ka shpenzime të mëdha edhe për shkak të mungesës së komunikimit të sistemeve IT mes sektorëve, gjë që për shërbime të njëjta, vetëm për shkak të mungesës së komunikimit, fondi detyrohet të paguajë nga 2 herë./Alsat.
The post 10 përqind e buxhetit të Fondit Shëndetësor shkon për pushimet mjekësore appeared first on Alsat.



