Sot shënohen 10 vite nga shenjtërimi i Nënë Terezës, Anjezë Gonxhe Bojaxhiut, si dhe 29 vite nga vdekja e saj.
Ajo u shpall shenjtore nga Papa Françesku, duke marrë emrin Shën Tereza e Kalkutës. Ceremonia e shenjtërimit u zhvillua në Sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan dhe u drejtua nga Papa, në kuadër të Jubileut të Mëshirës. Në ceremoni morën pjesë më shumë se 120 mijë besimtarë, mes tyre edhe shumë shqiptarë.
Nënë Tereza, fituese e Çmimit Nobel për Paqen, u shpall shenjtore pas njohjes nga Kisha Katolike të dy mrekullive të lidhura me shërimin e personave të sëmurë pas vdekjes së saj.
Papa Françesku vendosi gjithashtu emrin e Shën Terezës së Kalkutës në Kalendarin e Përgjithshëm Romak, ndërsa 5 shtatori, dita e vdekjes së saj në vitin 1997, u përcaktua si dita e përkujtimit liturgjik të shenjtores.
Procesi i lumturimit të Nënë Terezës kishte nisur më herët. Në tetor 2003, Papa Gjon Pali II e shpalli të lumturuar, pasi Vatikani njohu mrekullinë e parë të lidhur me ndërmjetësimin e saj. Bëhej fjalë për shërimin e një gruaje 30-vjeçare në Kalkutë, e cila vuante nga një tumor në stomak. Një komitet i Vatikanit vlerësoi se shërimi nuk mund të shpjegohej nga pikëpamja shkencore.
Në Shqipëri, 5 shtatori është përcaktuar si ditë përkujtimore për Nënë Terezën, duke zëvendësuar datën 19 shtator, e cila më parë shënonte Ditën e Lumturimit të saj.
Po më 5 shtator shënohet edhe Dita Ndërkombëtare e Bamirësisë, e shpallur nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara në nder të Nënë Terezës.
Anjezë Gonxhe Bojaxhiu lindi më 26 gusht 1910 në Shkup. Në vitin 1929 ajo nisi misionin e saj në Kalkutë dhe në vitin 1950 themeloi Kongregatën e Misionareve të Dashurisë. Përmes këtij misioni, ajo iu përkushtua përkujdesjes ndaj njerëzve të varfër, të sëmurë dhe në nevojë në vende të ndryshme të botës.
Në vitin 1979, Nënë Tereza u nderua me Çmimin Nobel për Paqen për punën e saj humanitare. Ajo kërkoi që fondet e çmimit të përdoreshin për të ndihmuar të varfrit.
Nënë Tereza e vizitoi Shqipërinë pas rënies së regjimit komunist, ndërsa kishte ardhur në vend edhe më herët, në vitin 1989. Gjatë vizitave të saj ajo takoi familje me të cilat kishte lidhje farefisnore, fëmijë, besimtarë dhe autoritete të larta të vendit.
Në Shqipëri ajo kontribuoi gjithashtu në hapjen e shtëpive të Misionareve të Dashurisë, të cilat vijojnë të ofrojnë shërbime për njerëzit në nevojë.
Nënë Tereza u nda nga jeta më 5 shtator 1997, në moshën 87-vjeçare. Sot, 29 vite pas vdekjes së saj dhe 10 vite pas shenjtërimit, ajo vijon të konsiderohet një prej figurave më të njohura të humanizmit dhe bamirësisë në botë.
The post 10 vite nga shenjtërimi i Nënë Terezës, Shën Tereza e Kalkutës mbetet simbol i bamirësisë appeared first on Gazeta Shqiptare Online.



