10 vjet nga vdekja e Mon Balajt e Arben Xheladinit

Lëvizja Vetëvendosje sot shënon dhjetë vjetorin e protestës së organizuar kundër implementimit të planit të Ahtisarit, ku humbën jetën aktivistët Arben Xheladini dhe Mon Balaj.


Në njoftimin e VV-së për këtë datë thuhet se 10 Shkurti hyri në historinë e vonë të popullit tonë si dita kur u kundërshtua imponimi politik prej Planit të Ahtisaarit dhe ku u shpreh vullneti popullor për liri e pavarësi.

VV thotë se 10 shkurti ‘madhështohet edhe nga fakti që kombit tonë i dha dëshmorët për liri, Arben Xheladini dhe Mon Balaj’.

Në nderim dhe kujtim të kësaj dite, VV organizon homazhe tek varri i Mon Balajt në Besianë, tek varri i Arben Xheladinit në Prishtinë si dhe tek pllaka përkujtimore në sheshin ‘Nëna Terezë’.

Më pas do të hapet një ekspozitë me fotografi në atelenë e Pallatit të Rinisë ‘Adem Jashari’, si dhe krejt në fund do të organizohet tribunë me temën ‘Plani i Ahtisaarit dhe tezat e VETËVENDOSJE!-s, 10 vite pas’, në sallën e kuqe të Pallatit të Rinisë ‘Adem Jashari’./Sakte.net