12 më të kërkuarit e Policisë së Tiranës, zbulohen historitë e tyre dhe krimet që kanë kryer

E martë, 25 Tetor 2016  –  Sakte.net

Policia e Tiranës ka bërë publike fotot e 12 personave, që për këtë drejtori policie rezultojnë të jenë më të rrezikshmit.

Ndërkohë që sipas kësaj policie, në këtë grup përfshihen edhe 3 gra. Në listën e personave të rrezikshëm , bie në sy mungesa e disa personave të implikuar në vrasje, por që nuk janë arrestuar ende, ndërsa në krye të listës qëndron Eduart Kurti, personi që u vu nën akuzë të nesërmen e një masakre të ndodhur në mes të Tiranës ku u ekzekutuan dy vëllezër brenda një makine me plumb në kokë.

Në listë policia e Tiranës ka edhe një djalë kuksian, i cili akuzohet për një vrasje të dyfishtë për të cilën është dënuar me 20 vjet burg në mungesë. Ai është i rrezikshëm, thotë policia, ndërsa 4 vite pas aktit të kryer prej tij, iu kanë vra në Kodër Kamëz motra dhe vëllai, një ngjarje e rëndë që u la thjesht në kuadrin e gjakmarrjes, ndërsa autori i moshuar, i ati i dy viktimave të Ferhatit pranoi krimin e dyfishtë!

Në listë gjendet edhe “tezja” e kokainës, lordit të drogës, njeriut që ka vënë në lëvizje policinë e gjysmës së Europës, që ngre punishte heroine e kokaine në mes të vendit, që dyshohet edhe për linjë fluturimi në funksion të hashashit të mes Durrësit e Kurbinit, ndërsa gruaja është në Kosovë duke vuajtur dënimin për trafik droge dhe nuk dihet se për se vijon të jetë në kërkim nga policia e Tiranës.

Po ashtu në burg gjendet edhe studenti shqiptar që kreu një masakër në Rumani, ndërsa policia e Tiranës vetëm në këtë skedë prej 12 personash ka futur edhe emrin e një personi që e ka ngatërruar me emrin e vëllait, në vend që të shkruante Artur Kuliçi, ka nxjerrë të dhënat e Eduartit, paçka se nuk korrespondojnë datëlindjet sipas të dhënave që ka publikuar policia.

1 – Eduart Kurti, burgim të përjetshëm; “vrasje me dashje”

Mbase mund të konsiderohet një prej ngjarjeve më të rënda të 2012-s, jo vetëm për faktin që u ekzekutuan dy vëllezër në makinë në mes të Tiranës, por edhe për faktin se pavarësisht se policia dhe prokuroria e kanë një emër, asnjëherë nuk u fol me prova konkrete se pse i vrau dhe si doli nga Shqipëria Eduart Kurti. Sot e asaj dite, ai nuk është hasur gjëkundi edhe pse është i kërkuari i drejtësisë sonë që prej 2 dhjetorit të 4 viteve më parë, ndërsa sot e asaj dite vijojnë përplasjet në lidhje me palët për shkak se dy vëllezërit Igland dhe Sokol Haxhialiu, nga Berati me banim në Bllok. Eduart Kurti u tha se u ngatërrua me vëllezërit biznesmen për çështje borxhesh, por policia fillimisht arrestoi një djalë të ri nga Mamurrasi, i cili më pas u la i lirë, pasi sipas policisë së asaj kohe u bë me dije se djali kishte qenë në shtëpinë e tij në momentin kur pretendohet se ndodhi vrasja në afërsi të “Vasil Shantos”.

2 – Eduart Gani Kuliçi, burgim të përjetshëm, “vrasjes me dashje”

Eduarti, nuk ka vrasje dhe asnjë ngjarje në Shqipëri. Akuzohet për një vrasje në Irlandë dhe është i dënuar atje nga shteti irlandez, histori e bujshme e vitit 2003!

3 -Bashkim Riza Ferhati, 20 vjet burgim, “vrasjes me dashje”

Ishte fillimi i vitit i 2008-s, kur një ngjarje e rëndë do të trondiste gjithë vendin; vëlla e motër ekzekutohen në makinë, ndërsa vëllai kishte ardhur për festat e fundvitit në familjen e tij dhe do të nisej ato dy ditë në drejtim të Anglisë. Autori i vrasjes së dyfishtë, Hasan Puci, kur u dorëzua i tha policisë; i vrava se nuk e gjeta dot vrasësin e dy djemve të mi. Nuk doja t`i vrisja ato, por meqë nuk gjeta atë. Bëhej

fjalë pikërisht për Bashkim Ferhatin, personin që kishte vrarë dy djemtë e Hasanit dhe ky i fundit në shenjë hakmarrjeje vrau me 3 janar Bilbilin dhe Mimozën. Bashkimi kishte vrarë plot katër vite më parë, ku u tha se shkak i sherrit ishte një copë tokë. Tashmë emri i Bashkimit rezulton ndër më të kërkuarit nga ana e Policisë së Tiranës.

4 – Kujtim Demir Demiri, 14 vjet burg, “trafikim i të miturve”

Bleu fëmijën për 10 mijë lekë dhe e përdori për disa vite të lypte nëpër rrugët e Greqisë. Ishte një nga ato rastet e frikshme të trafikimit të të miturve të cilët kaloheshin jashtë vendi dhe përdoreshin jo vetëm për lypje. Kujtim Demiri u shpall fajtor dhe u dënua me 14 vjet burg ndërsa ishin vetë prindërit e të miturit që treguan se bëhej fjalë për një pazar që kishin bërë me këtë person për ta nisur djalin drejt Greqisë dhe që djali i tyre do të punonte dhe do tu sillte të ardhura edhe atyre

5-Blenis Mihallaq Shyti, burg i përjetshëm, “vrasjes në rrethana të tjera cilësuese”

Në fakt është i arrestuar dhe është i dënuar me burg të përjetshëm. Akuzohet për vrasje të trefishtë në Rumani dhe madje para një viti gjykata e Tiranës ka njohur edhe vendimin e drejtësisë rumune për të tu njohur vendimi i tyre i dënimit përjetë por që Shyti mund të vuaj dënimin në Shqipëri. Ai vrau 12 vite më parë një çift dhe fëmijën e tyre për çështje droge, pasi ishte student atje.

6 – Fation Agim Muharremi, 11 vjet burg, “vrasjes”

Fation Muharremi 32 vjeç është në listën personave më të kërkuar nga policia e Tiranës. Në faqen zyrtare të policisë emri dhe fotografia e tij është e publikuar nën përshkrimin si i kërkuar për vrasje dhe i dënuar me 11 vjet burgim. Po në fakt 32-vjeçari është dënuar nga gjykata e Tiranës me 10 qershor të vitit 2009 (vendimi nr 899) për tentativë vrasje të një bashkëmoshatari në vitin 2007, që mbeti i plagosur, ngjarje e ndodhur në lokalin “22222” në rrugën e Kavajës

7 – Kreshnik Dëfrim Spahiu, 25 vjet burg, “vjedhje me armë me pasojë vdekjen”

Policia e Tiranës bën të ditur se ky personi duhet të konsiderohet i frikshëm dhe i armatosur!

8– Endrit Arben Daci, kërkohet për veprën penale të vrasjes së mbetur në tentativë

Endriti akuzohet për një ngjarje të tri viteve më parë në një lokal në Tiranë.

9 – Florjan Robert Qafa, kërkohet për veprën penale të “Prodhim dhe shitje e narkotikëve” dhe “Prodhim e mbajtje pa leje e armëve luftarake dhe municioneve”.

Emri i Qafës u bë publik rreth një vit më parë kur Partia Demokratike do të denonconte emrin e tij si të përfshirë në banda kriminale, ndërkohë që ishte i punësuar. U tha se personi ishte hequr nga puna, ndërsa tashmë rezulton i kërkuar nga ana e Policisë së Tiranës.

Gratë e kërkuara të Policisë së Tiranës

Në listën prej 12 personash bien në sy edhe tri gra. Njëra është mjaft e njohur për shkak të lidhjeve që u tha se kishte me baronin e drogës Gëzim Çela, ndërsa të dy gratë e tjera janë të kërkuara për mashtrim me pasoja të rënda. Valentina është e arrestuar në Kosovë dhe e vuan atje dënimin, ndërsa policia e Tiranës bën me dije se ajo është e dënuar me 14 vjet burg dhe ndaj është e kërkuar!

1- Valentina Gëzim Tufina, 14 vjet burg, kërkohet për “trafikim i lëndëve narkotike”.*

“Një grua 50-vjeçare e quajtur Valentina Tufina, dyshohet të jetë truri i një rrjeti trafiku heroine dhe kokaine nga vendet e Amerikës Latine, në drejtim të vendeve të Bashkimit Evropian duke përdorur transit Shqipërinë. E njohur me nofkën “Tezja”, Valentina Tufina, ka udhëtuar në tre kontinente brenda një muaji me qëllim trafikimin ndërkombëtar të heroinës dhe kokainës.

Sipas Prokurorisë së Krimeve të Rënda. mësohet se në harkun kohor të më pak se një muaji, gruaja ka bërë të paktën shtatë udhëtime, në disa vende të Europës, në Kinë, Australi dhe më pas në Shtetet e Bashkuara të Amerikës”. Kështu u bë me dije nga hetimet e asaj kohe, ndërkohë që gruaja u prangos në Kosovë.

2 – Adriana Rakip Çakmak, 16 vjet burg; “Mashtrim”

Për Çakmak ka pak të dhëna në lidhje me veprën penale për të cilën është dënuar vetëm se listohet në 12 personat më të kërluar të policisë së Tiranës

3- Çetina Xheladin Zajmi, 12 vjet burg; “mashtrim me pasoja të rënda”

Gruaja e moshuara mashtroi ortakun e ndërtimin dhe i mori 400 mijë euro. Ai rrëfeu në gjykatë gjithçka kishte ndodhur mes tij dhe gruas, ndërkohë që sipas tij gruaja i shiti atij një objekt të shitur njëherë . /Shekulli/

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme