15 autobusët e rinj urban të Prishtinës vijnë në nëntor, në dhjetor edhe 15 të tjerë

Së shpejti kryeqyteti i Kosovës do të bëhet me 15 autobusët e rinj urban në kuadër të reformave në ndërmarrjen komunale “Trafiku Urban” që ishte edhe premtim i kryetarit të Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti.

Lajmin për portalin Sakte.net e ka konfirmuar kryeshefi i ndërmarrjes publike “Trafiku Urban”, Halil Mustafa.

“Tashmë është bërë pagesa e këstit të parë të marrëveshjes së nënshkruar. Është paguar 30 % e shumës totale, sipas marrëveshjes, dhe 15 autobusët e parë pritet që të arrijnë në muajin nëntor. Edhe 15 të tjerë do të arrijnë në muajin dhjetor”, ka deklaruar Mustafa.

Komuna e Prishtinës nënshkro kontratën me kompaninë fituese për furnizimin me autobusë për Trafikun Urban, Iveko nga Çekia.

Kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti kishte deklaruar se 51 autobusët e rinj ‘Iveco’ do të qarkullojnë në Prishtinë para vitit të ri.

Vlera e këtij projekti arrin shumën e 13 milionë eurove./Sakte.net