17 vajza të zhdukura për tre muaj në Kosovë

Trafikimi me qenie njerëzore në Kosovë vazhdon të thellohet si shqetësim i përgjithshëm. Aq më tepër, kur viktimat e trafikimit, ku dominon gjinia femërore, janë nën moshën 18 vjeç.

Autoritetet e rendit thonë se gjatë një viti, raportohen rreth 30 viktima të trafikimit.

Riza Murati, shef i Sektorit Qendror të trafikimit me qenie njerëzore në Policinë e Kosovës, thotë për Radion Evropa e Lirë se ndër vite trafikimi po shënon rënie, porse si fenomen, vazhdon të mbetet shqetësues.

Ai bën të ditur se që nga viti 2010 janë fuqizuar kapacitetet policore në luftimin e kësaj dukurie, ndonëse ende mbetet sfidë.

“Mund të them që është një rënie e lehtë sa i përket trafikimit me qenie njerëzore. Moshat e trafikuara si viktima, janë nën moshën 18 vjeçare. Rastet kur raportohen femrat si të zhdukura, kryesisht u takojnë situatave kur ato largohen nga shtëpia, qoftë me premtime të rrejshme, apo premtimi për një vend pune”, thotë Murati.

Sipas tij, në momentin kur femrat raportohen si të zhdukura, policia angazhohet dhe në bashkëpunim me njësitë relevante provohet që të verifikohet informacioni në lidhje me ndonjë rast të trafikimit.

“Një rast, këtë vit, ka rezultuar si viktimë e shfrytëzimit në prostitucion”, shton Murati.

Sakibe Doli, drejtoreshë e Shtëpisë së Sigurt në Gjakovë bën të ditur se mosha e femrave të trafikuara, që janë identifikuar nga persona gjegjës ndër vite, sillet kryesisht nga 18 deri në 25 vjeç.

“Shumë prej tyre ka që janë martesa të hershme, martesa që bëhen jashtë vendit dhe rrallë herë ka ndodhur që burri të jetë trafikant. Kohëve të fundit ka rënë trafikimi, por vajzat kamuflohen si punëtore, apo këngëtare, por ato shpesh zihen në pozita të palakmueshme dhe bëhen viktima të trafikimit pa dëshirën e tyre, por joshen shumë lehtë nga trafikantët”, thotë Doli.

Në Kosovë, thekson ajo, është Strehimorja Shtetërore që ka kapacitet të mjaftueshëm. Po ashtu, shton ajo, Kosova i ka ligjet adekuate dhe janë krijuar mekanizmat për ta luftuar dukurinë e trafikimit.

Statistikat e Policisë së Kosovës flasin se gjatë këtij viti, janë 17 vajza që janë raportuara si të zhdukura, derisa në vitin 2016 kanë qenë 117.

Ndryshe, jo të gjitha vajzat e raportuara si të zhdukura përfundojnë si viktima të trafikimit.

Shumë nga to në moshë shumë të re edhe martohen, por që fillimisht ikin nga shtëpia dhe raportohen si të zhdukura.

Ka raste kur ato janë edhe në moshën 12- vjeçare dhe martohen. Apo raste kur që si 13- vjeçare lindin dhe bëhen nëna. Kjo dukuri, raportohet të jetë më e theksuar te komunitetet rom, ashkali e egjiptian.

Njëri nga familjarët e një vajze të martuar qysh si 12- vjeçare, flet për Radion Evropa e Lirë në kushte anonimiteti:

“Ndodh që vajza 12 vjeç ikë nga shtëpia dhe martohet. Kjo po ndodh shpesh, sidomos në komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian. Prindërit nuk i pyesin. Ikin nga shtëpia. Qysh si 12 vjeçe ikën te burri dhe 13 vjeç bëhet nënë dhe lind fëmijë”.

Edhe Ramjana Gashi, e komunitetit rom, tash i ka mbushur 19 vjet. Ajo para moshës 16- vjeçare ishte martuar. Tash kujdeset për 3 fëmijët e saj, në kushte të vështira ekonomike.

‘’Qe 4 vjet jam martuar, i kam 3 fëmijë. Po lypin të hanë, e të pinë. S’po kam çka t’iu ofroj. As social nuk kemi. Unë në shkollë asnjëherë nuk kam shkuar, për shkak të kushteve të rënda ekonomike, edhe kam vendosur të martohem e re. Por, edhe këtu te burri kushtet ekonomike i kemi shumë të vështira”, thotë ajo.

Kohë më parë, Departamenti Amerikan i Shtetit (DASH) kishte vlerësuar se Qeveria e Kosovës nuk i plotëson në tërësi standardet minimale për eliminimin e trafikimit.

Raporti kishte vlerësuar se korrupsioni qeveritar krijon “një ambient që mundëson disa prej krimeve të trafikimit”, derisa kujton se “disa oficerë policorë, punonjës të Ministrisë së Punës dhe zyrtarë të tjerë qeveritarë, janë akuzuar apo dënuar për krime të trafikimit”./REL

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme