Agim Shahini, kryetar i Aleancës Kosovare të Bizneseve (AKB), tha se si rezultat i mosliberalizimit të vizave kosovarët shpenzuan rreth 20 milionë euro.
Më shumë se 20 milionë euro i kanë shpenzuar kosovaret si rezultat i mosliberalizimit të vizave. Kështu ka vlerësuar Agim Shahini, kryetar i Aleancës Kosovare të Bizneseve (AKB). Sipas tij, sfidë tjetër si dëmtim i imazhit të vendit ishin edhe bisedimet Kosovë-Serbi dhe efektet e tyre në ekonomi që, sipas tij, ishin jo në favor të Kosovës. “Ato ndërtuan mure në veri, kanë rritur eksportin e Serbisë në Kosovë dhe sipas vlerësimeve tona ky vit përmbyllet me 400 milionë euro të eksporteve të Serbisë drejt Kosovës”, ka vlerësuar Shahini në paraqitjen e tij të fundit për vitin 2016, shkruan Zëri.
Sipas tij, Kosova mbetet vendi që më së paku në Ballkanin Perëndimor ka eksportuar. Ai shtoi se Marrëveshja Kosovë – Mali i Zi për Demarkacion ishte mollë sherri në mes Qeverisë dhe opozitës dhe kjo ishte shumë e dëmshme për zhvillimin ekonomik, për investitorët e huaj dhe si pasojë e kësaj kemi edhe ikje të investitorëve dhe dëmtim të imazhit. “Sfidë mbetet Asociacioni i Komunave Serbe që po e dëmton imazhin e vendit dhe po e shkatërron tërë ekonominë për shkak të frikësimit të investitorëve. Integrimi dhe njohjet e Kosovës kanë stagnuar për vitin 2016 dhe ishte e zbehtë dhe si rezultat i saj ka pasur shumë pak njohje të shtetit e pak lëvizje ndërkombëtare. MSA-ja nuk arriti të rritë eksportin e prodhimeve vendore drejt BE-së, por mbetet që në të ardhmen të jetë një mundësi e mirë”, tha Shahini.
Informaliteti rritet për 2%
Sipas tij, TVSH-ja nuk zbriti çmimin e bukës, të energjisë dhe të produkteve esenciale. “Rritja ekonomike e proklamuar nga Qeveria i shkurtoi rreth 40% investimet e huaja në vitin 2015/2016. Po ashtu kishin proklamuar se është rritur punësimi e i cili ishte dukshëm më i vogël sesa ai i pritjes dhe i premtimeve, që ishte 33,9 për qind vitin e shkuar e tash kinse është 26,6%, e të cilat nuk janë të sakta kur dihet se sivjet investimet e huaja kanë pasur rënie”, tha Shahini. Ai shtoi se informaliteti mbetet sfidë e i cili u rrit mbi 35% nga ai 33% sa ishte në vitin 2015.
Ai tregoi se prodhimi vendor nuk arriti të zëvendësojë importin, ai u rrit edhe në vitin 2016. Deficitet tregtare mbeten të larta në raport 88 % – 12% të eksportit. “Janë disa projekte të parealizuara edhe pse ishte premtuar nga institucionet realizimi i tyre, si Brezovica, ku investimet në të dështuan plotësisht dhe nuk ka asgjë. Po ashtu ndërtimi i termocentralit nga kompania amerikane në vlerë 1 miliard euro ende nuk ka filluar dhe shpresojmë që nuk do të ngecë tërësisht”, ka vlerësuar Shahini. Sipas tij, sektori më profitabil në vend ishte sektori financiar i patundshmërisë dhe ai i ndërtimit.
AKP-ja dështoi në privatizimin e asteve publike
Agim Shahini nga AKB-ja ka thënë se çështje tjetër është edhe se AKP-ja dështoi në privatizimin e aseteve publike përgjatë gjithë vitit 2016. Ato ishin të vogla, ngaqë edhe krahas saj munguan investimet e që vitin në 2017 do të ketë rritje të shitjes së aseteve apo privatizimit. Sipas tij, Ligji për Investime Strategjike në Kosove ishte risi, por nuk pati efekte të dukshme dhe nuk u panë fare dhe në të ardhmen pritet të ketë investime. “Ligji për ‘Trepçën’ u miratua, kjo ishte e mirë për Kosovën”, ka vlerësuar Shahini.
Në fund Shahini tha se edhe viti 2017 do të jetë një vit sfidues, sepse do të nisë Gjykata Speciale, do të nisë presioni për fillimin e Asociacionit për Komunat Serbe, Demarkacioni me Malin e Zi. Po ashtu viti 2017 do të jetë vit zgjedhor, ku do të mbahen zgjedhjet e reja.“Të gjitha do të jenë pengesë të zhvillimit të agjendës ekonomike, si dhe përmbushjes së buxhetit prej 2 miliardë eurosh”, ka thënë ai.