2019-a fillon përgjakshëm, 7 persona humbën jetën në komunikacion vetëm në janar

Mbrëmë në qendër të Prishtinës dy gra (këmbësore) janë goditur nga një veturë. V.A. dhe M.R. kanë marrë lëndime të lehta trupore dhe pas marrjes së trajtimit mjekësor janë liruar për në shtëpi, tha QKU-ja. Por, fatin e tyre nuk e patën persona të tjerë që janë përfshirë në aksidente të ndryshme trafiku brenda këtij viti. Policia tha për Gazetën Express se vetëm në janar të këtij viti në komunikacion kanë humbur jetën shtatë persona. Aksidente me fatalitet ka pasur edhe në muajin shkurt
Viti 2018 do të mbahet mend për vdekjet e shumta në komunikacion. Nuk ka kaluar as një muaj i vitit që e kemi lënë prapa e që rrugët e Kosovës të mos laheshin në gjak prej aksidenteve në komunikacion. Vazhdimësi e kësaj po del të jetë edhe fillimi i vitit 2019. Madje numri i aksidenteve fatale është në rritje në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.

Policia tha se në janar të këtij viti në aksidente humbën jetën shtatë persona, ndërsa në janarin e vitit 2018 jetën e kanë humbur gjashtë persona. Apo, një viktimë më shumë gjatë janarit të këtij viti sesa në janarin e vitit të kaluar.

Në statistikat e Policisë dhënë Gazetës Express vetëm në janar të këtij viti lëndime trupore nëpër aksidente kanë marrë 654 persona. Aksidente me dëme materiale janë gjithsej 817, ndërsa në total aksidente me fatalitet me të lënduar dhe me dëme materiale janë 1172.

E për të gjitha kundërvajtjet në trafik, policia ka shqiptuar 29422 gjoba.

Detaje nga aksidenti i mbrëmshëm te Katedralja në Prishtinë:

Policia e Kosovës ka treguar se në këtë aksident janë lënduar dy persona. Siç bëhet e ditur dy këmbësore janë goditur nga një veturë.

“Rreth orës 19:30 policia ka pranuar një informate për një aksident në udhëkryqin kryesor të Katedralja në Prishtinë. Në aksident kanë qenë të përfshira një veturë dhe dy këmbësore. Si pasojë e aksidentit lëndime trupore kanë marrë V.A (femër) dhe M.R (femër). Të njëjtat janë dërguar për tretman mjekësor. Me rastin po merret njësia e trafikut”, ka treguar për Express Daut Hoxha nga Policia e Kosovës.

Ai ka thënë se njësitet policore iu kanë përgjigjur rastit menjëherë dhe janë në proces të ekzaminimit të vendit të ngjarjes.

Mësohet se gjendja shëndetësore e tyre është e mirë. Këtë e tha mëngjesin e sotëm për Gazetën Express, Shpend Fazliu- zëdhënës në QKU.

“Ju konfirmojmë se dy femra kanë kërkuar ndihmë si pasojë e një aksidenti. Pas ndihmës mjekësore nga stafi i Klinikës Emergjente që të dyja janë liruar në shtëpi, meqë bëhej fjalë për lëndime të lehta trupore”, tha Fazliu.

Statistika shtesë rreth aksidenteve në trafik gjatë 2018-s:

Bëhet e ditur se 126 persona vdiqën në komunikacion gjatë 12 muajve të vitit 2018, këtë shifër e tha Policia për Gazetën Express.

“Nga 1 janari 2018 deri më 30 dhjetor kanë ndodhur 97 aksidente fatale me gjithsej 124 persona të vdekur”, tha policia.

Megjithatë, Policia e Kosovës vazhdimisht po bën apel për kujdes në komunikacion.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme