Pas publikimit të listës përfundimtare të votuesve për të cilën anëtarët e KSHZ-së, por edhe katër partitë më të mëdha thanë se është pastruar përfundimisht nga votuesit e dyshimtë, televizioni Shenja zbulon një rast skandaloz me votuesit në Tetovë. Në një adresë në këtë qytet janë evidentuar 259 votues. Që të gjithë janë nga familje të ndryshme dhe mbajnë mbiemra të ndryshëm. Ata janë të evidentuar se votojnë në një vendvotim, ndërsa jetojnë në rrugën Ivo Lola Ribar numër 0000. Ekipi i televizionit Shenja vizitoi këtë adresë për të parë objektin gjigant që duhet ti kishte grumbulluar të gjithë këta votues. Por në këtë adresë nuk gjetëm pallatë e madje as edhe ndonjë kasolle, por vetëm një parking të zbrazur. Banorët e kësaj rruge në bisedë jo formale thanë se më herët në këtë vend ka pasur një shtëpi të vjetër dhe të pabanuar. Në të më pas janë vendosur një familje e varfër, por pas një kohe shtëpia ishte përfshirë nga zjarri dhe ishte djegur e tëra. Më pas në vendin e shtëpisë është ky vendparkim. Disa nga banorët të cilët gjatë kontrollit në listën e votuesve shumë më herët kishin vërejtur këtë fenomen thonë se para kontrollit të votuesve fiktiv në këtë adresë ka pasur rreth 150 votues. Por gjithnjë sipas rrëfimeve të banorëve të cilat nuk mund të argumentohen, numri i votuesve në këtë adresë pas kontrolleve të kryera nga institucionet, në vend që të ulet është rritur deri në 259 votuesit aktual. Ndryshe, paraqitja e dhjetëra votuesve në një adresë banimi në Shkup dhe vendbanime të tjera ishte shkaku kryesor që partitë në Përzhino u dakorduan për një metodologji të re të pastrimit të listës së votuesve, metodologji kjo që siç duket si fryt solli 259 votuesit në këtë adresë pa objekt në Tetovë./SHENJA